Behgjet Pacolli do të mbetet si zëvendëskryeministër në Qeveri. Kryeministri Hashim Thaçi ka rënë dakord që AKR’së t’i jepen dy ministri shtesë. Dy liderët e koalicionit janë takuar për disa orë të martën dhe kanë ridisenjuar marrëveshjen e cila pritet të nënshkruhet së shpejti.


Nga Valmir Klaiqi më 27 prill 2011 në ora 09:14

Behgjet Pacolli do të mbetet zëvendëskryeministër në Kabinetin qeveritar të Hashim Thaçit, kanë thënë burime të gazetës Express, të martën.



Lideri i Koalicionit për Kosovë të Re, së bashku me stafin e tij janë takuar të martën me kreun e Qeverisë, Hashim Thaçi dhe zëvendësin e tij, Hajredin Kuçi, ku për disa orë kanë biseduar rreth ridisenjimit të marrëveshjes së koalicionit.



Pjesëmarrës në takim kanë pranuar se tanimë gjithçka është sqaruar dhe marrëveshja e re pritet të nënshkruhet shumë shpejt.



Burime të Expressit brenda takimit, kanë treguar se Behgjet Pacolli ia ka prezantuar Shefit të Qeverisë planin e tij për postin e zëvendëskryeministrit.

“Kreu i AKR’së ka kërkuar që të ketë mbështetjen e Qeverisë dhe të Kryeministrit në fushatë lobuese për njohje për Kosovën, në joshjen e investimeve të huaja dhe tema të tjera që lidhen me postin që ai pritet ta ushtrojë”, ka treguar burimi i gazetës.



Po ashtu, i njëjti zyrtar ka treguar se kryeministri Hashim Thaçi dhe partneri i tij i koalicionit, Behgjet Pacolli janë pajtuar që AKR’ja t’i marrë edhe dy ministri në ekzekutiv.



“Janë pajtuar që të formohet Ministria për Diasporën. Gjithashtu, një ministri aktuale që udhëhiqet nga PDK’ja do t’i takojë AKR’së. Por ende nuk është saktësuar cila ministri. Kjo mbetet të vendoset nga Kryeministri në dy ditët e ardhshme, pas konsultimeve edhe në parti”.



Edhe pse Behgjet Pacolli ditëve të fundit publikisht ka shfaqur dilema nëse do të pranojë të përfshihet në Qeveri.



“Takimi është zhvilluar në Qeveri dhe ka qenë shumë relaksues. Nuk kishte as kushte, e as dilema nga palët. Është biseduar për pikat e marrëveshjes së koalicionit dhe fushat që do t’i mbulojë AKR’ja dhe zoti Pacolli”.



Tani pas marrëveshjes në parim, pritet që kreu i Qeverisë të identifikojë njërën nga ministritë që udhëhiqen nga ministra të PDK’së dhe t’ia kalojë nën administrim një ministri të ri të AKR’së.