Qenef


Nga Salih Kabashi


 


Propozimin për 19 nëntorin – Ditë Botërore e Nevojtoreve, e ka dhënë Singapori. Në vend se ai propozim të vinte nga dy shtete-qenefet e Ballkanit me emrat Kosovë e Shqipëri.


OKB ka bërë me dije se dy miliardë e gjysmë njerëz të planetit tonë jetojnë pa sanitarie të rregulluara.


Një miliard tjetër kryejnë nevojat, si shqiptarët e dikurshëm e të tashëm – në fushë, mbas stalle, mbas talle, mbas shtëpive të tyre, në stom rruge apo diku në megjë.


Në botë brenda secilës orë për pasojë mungese të nyjeve sanitare humbin jetën një numër shokant njerëzish: në Afrikë 115.


Gjendja paraqitet e rëndë  kur kujton shifrën e 800 mijë fëmijëve të moshës nën 5 vjet të cilët vdesin nga  diareja për shkak të kushteve të munguara sanitare dhe të mosfurnizimit me ujë.

Prandaj KB vendosën 19 nëntorin si DITA BOTËRORE E NEVOJTOREVE.


 


Fat që kjo ditë nuk është caktuar në ndonjërën nga ditët e çlirimeve të shumta të shqiptarëve…


 


Shqiptarët e të dy shteteve gati si afrikanët kanë probleme me kulturën e qenefit.


Problemi me nevojtoret është përmirësuar apo përkeqësuar edhe më shumë pas kryetarllëkut të Isa Mustafës në Prishtinë!?


Mungesa e nevojtoreve vërehet me të madhe edhe në të ashtuquajturën “Rruga e Kombit”. Udhëtarët, femrat sidomos, pothuajse duhet të rrezikojnë pëlcitjen e fshikzës pa pasur ku të lëshojnë ujin e hollë, ndërkohë që burrat shtrëngohen që si të parët e tyre antikë të gjejnë një kaçubë pas së cilës do të kryejnë njërën apo të dyja nevojat e tyre fiziologjike.


Edhe restaurante me emra të mëdhenj në qyetet e Kosovës e të Shqipërisë, edhe institucione të shërbimeve publike ose janë pa nevojtore, ose edhe kur i kanë, ato janë për të kërdisë njerëzinë me duhamë e fëlliqësi dhe për të përhapur infeksione të rrezikshme.


Mos të kujtohen as përmenden qenefet e spitaleve e ambulancave…


 


Propozimin për 19 nëntorin – Ditë Botërore e Nevojtoreve, e ka dhënë Singapori. Në vend se ai propozim të vinte nga dy shtete-qenefet e Ballkanit me emrat Kosovë e Shqipëri.


Burrat e këtij populli jashtëzakonisht evropian vazhdojnë me ngulm traditën e lashtë të takimit saherë shkojnë në nevojtore me m… taze të paradhjerësit. Si me stafetën e dikurshme të Titos, secili secilit i lë të vetin avullor. Prijësit politikë e shtetëror, ndërkaq, të gjithë, sikur janë në garë se cili do ta përm… më shumë se tjetri vendin e tij.


Në kohën e komunizmit një drejtor arsimi në Pejë, në fushatën për ndërtimin e shkollave, kishte lënë shkollën e katundit Vranoc pa nevojtore… Fëmijët në pushim mes orësh shpërndaheshin rreth e rrotull ku do të gjenin një vend të fshehtë ku do të kryeni nevojën. Katundarët që kishin marrë pjesë në një miting politik-innaugurues, fillimisht nuk e kishin vënë re mungesën, pas alarmimit nga nxënësit, nisën të ankoheshin në drejtorin dhe mbikqyrësin e ndërtimeve, shokun R. Perzereni:


“Eu bre, po ai na e paska pas hângër edhe novitoren e shkolls…”, duke e modifikuar nganjëherë në: “Qaj far direktori ki pa hângër edhe n’novitore t’shkolls re…”. Këto kishin kuptimin e dyshimeve në shpërdorimin e parasë së popullit. Për shkak të ngrënieve të shumta atë drejtor e patën larguar dhe ai më nuk mund të punonte askund tjetër pos në UDB…


Pyetja që lidhet me ditën e shpallur “Ditë Botërore e Nevojtoreve” dhe me mungesat alarmante të tyre në Kosovë e Shqipëri, sigurisht se sjell në kujtesë Vranocin e Lugut të Baranit dhe ngrënësin e nevojtores, apo ngrënësin në nevojtore të tyre.


Më shumë se për R. Perzerenin vakia e Vranocit flet edhe për ngrënësit e qindra-mija nyjeve sanitare në godinat e rrugët e ndërtuara në Kosovë në dhjetëvjetësin e fundit e në Shqipëri edhe më herët.