28/03/2011  Gjirokastër, nga fillimviti


GJIROKASTËR- Mbi 50 mijë qytetarë nga rrethe të ndryshme të vendit kanë kaluar për në Greqi me pasaporta biometrike nëpërmjet pikës doganore të Kakavijës që nga muaji janar e në vazhdim. "Numri i qytetarëve që kanë shkuar pa viza në hapësirat e vendeve të përfshirë në marrëveshjen Shengen ka ardhur duke u rritur nga muaji në muaj", tha Gentian Mullai, zëdhënës i policisë në Gjirokastër. Vetëm në muajin mars, nënvizoi Mullai, kanë kaluar nëpërmjet Kakavijës për në vende të ndryshme të Evropës më shumë se 20 mijë qytetarë. Sipas tij, lëvizja në kufirin me Greqinë po bëhet gjithnjë e më e lehtë, janë reduktuar procedurat, ndryshe nga ditët e para kur policia greke krijonte vështirësi.


Policia kufitare bën të ditur se që nga janari autoritetet doganore greke nuk kanë lejuar të hyjnë në territorin e saj rreth 200 shtetas shqiptarë me pasaporta biometrike, të cilët nuk kanë plotësuar kriteret e marrëveshjes së liberalizimit të vizave, të vendosura nga ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian. T. Skuqi