Nga Nasho Bakalli


Pa të drejtë, shqiptarët po marrin sherrin e padëshiruar. Dhe sherrin, kësaj rradhe po e  marrin nëpërmjet sistemit të drejtësisë. Nëpërmjet njërës prej tre shtyllave kryesore që mbajnë në këmbë shtetet demokratike në shpinë të kësaj toke. Dhe është vetë shteti shqiptar – qeveria shqiptare, partia demokratike që e vuri Kolegjit Zgjedhor që të shprehet për mëvetësinë apo varësinë e vet nga politika në fuqi. Nuk ishte opozita. Dhe Kolegji foli. Po flet me zë të lartë sa që dëgjohet në tërë botën. Dhe çfarë thotë Kolegji? Thotë atë që tha KQZ-ja. Dhe KQZ-ja vendosi atë që, mes rreshtash, tha kryeministri Berisha nga foltorja e P.Demokratike në buzëmbrëmjen e 8 majit 2011. Në gjykimin e Kolegjit Zgjedhor, i cili vazhdon, shqiptarët nuk kërkojnë as mëshirë dhe as padrejtësi. Sepse  këto të fundit i shërbejnë vetëm atij që i hodhi, e që po i pret, e duhet që ti presë zaret e padrejtësisë.  Me gjithë sa janë bërë për drejtësinë, në këtë vend, veçanërisht pas hyrjes në NATO dhe premtimeve besimndjellëse nga BE, frika e padrejtësisë shfaqet si lugat përpara njerëzve. Njerëzit kushedi sesa shumë artikuj kanë shkruar, nga viti 1991, për drejtësinë në mediat shqiptare, deri më sot. Kushedi sesa shumë fjalime janë mbajtur nga liderët e të tjerë njerëz të politikës, e jashtë saj, në të mirë të drejtësisë në Shqipëri. Pa llogaritur fjalët e thëna në Kuvend; në bisedimet e tratativat, sipas rastit e nevojës, midis partive politike, me qëllim për të drejtuar sistemin e drejtësisë. Fjalë, shkrime, celuloid – numri i tyre shtohet çdo ditë. Nuk ka dyshim se po të ishte e mundur që të tjetërsoheshin në një material të fortë,  e gjithë kjo sasi e panumërueshme e fjalëve, publikimeve dhe celuloidit atëherë do të ishte ngritur, me kohë, ndërtesa e drejtësisë dhe bashkëpunimit përparimtar. Dhe jo vetëm  kaq. Sot ajo do të ishte bajagi e qëndrueshme. Por, mjerisht, vetëm fjalët, shkrimet, celuloidi nuk mjaftojnë për ta bërë drejtësinë të fortë. Sepse drejtësia është sa e fuqishme aq edhe delikate, dhe që ky raport të kundërtash të jetë mbarësisht produktiv, kërkon, krahas profesionalizmit të lartë edhe idealizëm. Kërkon shpirt shqiptari të vërtetë. Kërkon edhe studime të thelluara të praktikës gjyqësore ndërkombëtare. Fakti që qeveritarët shqiptarë po ndikojnë ndaj vendimmarrjes së Kolegjit Zgjedhor, për sa ai po gjykon aktualisht, tregon se në kancelaritë e politikës dhe shtetit shqiptar, deri më sot, janë endur më  shumë fjalë e përkëdhelura, sesa janë bërë analiza shkencore-historike për gjendjen e drejtësisë, për dëmet që ajo i ka shkaktuar shpirtit dhe pasurisë së shqiptarëve në këto 20 vjet pa diktaturë. E çfarë janë 20 vjet padrejtësi? Një fjalë goje për një diktator, nëse, nuk është harruar shprehja se: diktatorët janë njerëz të cilët jetojnë në liri të plotë, ndërkohë që popujt e tyre jetojnë në skllavëri. Megjithatë, shqiptarët kurrë nuk kanë kërkuar mëshirë dhe padrejtësi. Ata kanë qenë, janë, e mbeten vetvetja. Sepse padrejtësia do të ishte vetëvrasje për qytetërimin, here-herë të padukshëm, gjithsesi të kultivuar në qindra e qindra vite në Shqipëri. Sepse padrejtësia do të provonte përsëri sesa afër rinë, në Ballkan, fuçia dhe baruti. Sepse Europa do të përballej me atë pjesë të politikës së saj, të shkuar, të cilën ajo beson se e ka zgjidhur në kuardin e Bashkimit Europian.  Prandaj kërkohet që: ta largojmë këtë rrezik. Cilin? Rrezikun e padrejtësisë. E për këtë, shtetarët dhe politikanët, të gjithë njerëzit e dijes, jo vetëm të Shqipërisë, të bëjnë marrëveshje. Marrëveshje të shkruara me gërma të qëndrueshme. Marrëveshje që ndërtojnë dhe mbajnë në këmbë masa sigurie në nivel shteti, rajoni dhe më gjerë, kundra padrejtësisë.  Ka njerëz të cilët, veçanërisht në këto ditë kolegjzgjedhore, thonë se ndihmesat që  ndërkombëtarët japin për lulëzimin e drejtësisë në Shqipëri, sado të mira që janë, hera-herës duken, për mendjen e tyre, edhe si fjalë e gjeste pa kuptime të qarta. Si nojma – që mbajnë brenda syluajtje të dyshimta. Të cilat në disa raste, po sipas popullit, çelin rrugë krejt të kundërta nga ato që populli dëshiron. Konkretisht, deklaratat, si të stisura, të kryeministrit të Hungarisë, të ministrit të jashtëm të Malit të Zi, apo të një organizmi tjetër,  duken sikur lanë shteg të çelur për ata politikanë që dinë të përdorin, për interes vetjak, pushtetin e tyre, dhe, kur të vijë puna që të konsiderohen edhe qëndrimet e Amerikës, B.E dhe OSBE/ODIHR të krijohen mosmarrëveshje!  Sidoqofshin deklaratat, që përmendëm më lart, ato,  përballë drejtësisë që përfaqësojnë  Amerika, B.E dhe OSBE/ODIHR,  ngjajnë me figurat e njerëzve dhe të kafshëve, që bëjnë kalamajtë në behar, buzë detit, të cilat sheshohen sapo u bie dallga e detit. Gjendur mes këtyre paraleleve, me të drejtë, lind pyetja: po atëhere çfarë duhet bërë që të themelohet një drejtësi mbarëshqiptare? Lipset bërë ajo që njerëzit e mençur e quajnë “çarmatimi i shpirtrave”. Të harrohen mëritë dhe të ligat që na ndajnë. Edhe të majtët. Të shuhen padrejtësitë, të cilat, i ndërsejnë njerëzit, partitë, institucionet ashtu si qentë kundrejt njëri-tjetrit. “Nuk mund të ketë të ardhme të kthjellët – shkruhej vite më parë në “Le Journal” të Parisit nëse nuk likuidohet koha e shkruar;  nëse  nuk e pastrojmë atë nga të gjithë gjëmbat dhe barrërat që e helmojnë”. Dhe gjëmbat e barrërat, në Shqipëri, nuk do të mund të shkulen për sa kohë që padrejtësia ngul këmbë që ta shkruajë drejtësinë ashtu siç i pëlqen asaj. Ka jopak njerëz të cilët mendojnë se: drejtësia e mbajtur me gjetjet e deritanishme është e paqëndrueshme. E që kjo paqëndrueshmëri të tejkalohet duhet që fatin tonë ta pranojmë si fat të përbashkët, si histori të përbashkët. Vetëm atëherë nuk do të ketë më djegie, thyerje, vrasje, tubime kundra padrejtësisë, – por vetëm vëllazërim. Do të ketë drejtësi.