Punimet për ndërtimin e mbikalimit të Kamzës, një nga më të rëndësishmit për përmirësimin e trafikut në zonën e Tiranës, me financim nga një kredi e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, pritet të përfundojnë brenda muajit korrik.


Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit thonë se tashmë është hapur njëra nga korsitë për makinat, ndërsa brenda muajit korrik përfundon ndërtimi i plotë i mbikalimit. Punimet për ndërtimin e mbikalimit të Kamzës, e cila përfaqëson portën kryesore për të hyrë në Tiranë nga pjesa perëndimore në aksin rrugor Tiranë - Durrës, nisën në muajin qershor të vitit të kaluar. Projekti me vlerë rreth 7 milionë euro po zbatohet nga firma austriake "Alpine Mayreder Bau". Me ndërtimin e këtij mbikalimi do të harmonizohet lëvizja e trafikut hyrës dhe dalës nga Tirana në drejtim të Durrësit, trafiku që i drejtohet veriut në drejtim të Kamzës si dhe ndërlidhja funksionale me rrugët paralele Tiranë – Vorë. Punimet përfshijnë ndërtimin e një aksi kryesor me një gjatësi 1040 m, që është i ndarë në 6 korsi me 3.75 m secila, një rrethrrotullimi me gjatësi 700 m si dhe rruge shërbimi me gjatësi 2.0 km. Zgjedhja e një mbikalimi në dy nivele u bë për vetë fleksibilitetin, duke konsideruar se trafiku në këtë zonë është gjithnjë në ndryshim. Në nivelin e poshtëm do të ndërtohet rrethrrotullimi, i cili do të mundësojë kalimin e trafikut nga Kamza dhe në drejtim të saj si edhe për në rrugët paralele dhe kompleksin rezidencial "Garden City", ndërkohë që niveli i sipërm do të sigurojë kalimin e trafikut pa ndërprerje nga dhe në drejtim të rrugës nacionale. Kjo vepër është pjesë e investimeve që po ndërmerr qeveria shqiptare për të zgjidhur në mënyrë përfundimtare trafikun dhe komunikimin e vështirë të arteries veriore të vendit tonë me qytetin e Tiranës dhe pjesën jugore të Shqipërisë.