FIER – Pas gati tre muajsh mungesë, u zhvillua dje mbledhja e Këshillit të Bashkisë së Fierit. Mbledhja u drejtua nga nënkryetari i Këshillit, i pakontestuar nga aleancat politike, Sokrat Ikonomi. Ai priti derisa u mblodh kuorumi i nevojshëm, i përbërë prej 18 këshilltarësh, 14 të PS-së dhe nga një këshilltar të PSV91, PSM-së, PSD-së, dhe PDS-së, për të filluar mbledhjen. Të djathtët nuk u paraqitën, por mbledhja u zhvillua pa praninë e tyre, sipas rendit të përcaktuar. Prioritet morën projekt-vendimet e paraqitura më së shumti me karakter social. Kështu u miratua kalimi i ndihmave ekonomike për dy muaj, janar dhe shkurt 2012, si dhe u miratua po ashtu një projekt-vendim për trajtimin me ndihmë financiare të një familjeje të dëmtuar nga zjarri, si dhe për përballimin e shpenzimeve të vdekjes së invalidit të luftës Belul Kamberaj. Ndonëse në mbledhje pati shumicë absolute të majtë, nuk kanë munguar diskutimet për disa çështje të cilat më pas u lanë të miratohen në mbledhjen e ardhshme. Kjo pasi këshilltarët kërkuan më shumë materiale shtesë dhe një pasqyrim të detajuar, sidomos të shpenzimeve. Me shumicë kartonësh u rrëzua edhe projekt-vendimi për vënien në dispozicion të fondit për shlyerje të vendimeve gjyqësore, si dhe ai për shpërblimin e nxënësve më të mirë të Maturës Shtetërore për vitin 2010-2011 dhe për fituesit e olimpiadave për vitet 2009, 2010, 2011. Kjo e fundit për shkak se u kërkua nga këshilltarët që të shtoheshin emra të tjerë në listë. m.r