Kryesia e Partisë Demokratike u mblodh këtë të enjte për të diskutuar
rreth procesit të zgjedhjes së kryetarit të ri të PD-së. Në mesnatë
përfundon afati për dorëzimin e kandidaturave për kreun e ardhshëm.



"Të shmangim mantelin e një force politike në pushtet. Duhet të punojmë për t'u shndërruar në opozitën më të fuqishme. Ne kemi potencialin më të madh se kurrë për t'u bërë pushteti moral i vendit", tha kryetari i dorëhequr i partisë, Sali Berisha. Më tej Berisha theksoi se gara për lidershipin e PD-së është ngjarja më e rëndësishme. "Në procesin për zgjedhjen e kreut të ri, askush të mos përdorë pushtetin. Kam besim tek anëtarësia e PD-së se do të zhvillojë procesin më të civilizuar dhe do të zgjedhim lidershipin që do ta drejtojë në qëllimin tonë.Deri tani janë 4 kandidatura zyrtare për kreun e PD-së, Lulzim Basha, Sokol Olldashi, Astrit Sinanaj dhe Sokol Paja", theksoi Berisha. Kryesia e PD-së po i zhvillon aktualisht punimet e saj me dyer të mbyllur për mediat. / Top Channel