Nga stadiumi “Qemal Stafa”, Dash Frashëri- “Gjahtari i golave”, Pipo Inzagi, me goditjen e pagabueshme nga seria e penalltive (5-4), ndihmoi Milanin të fitonte për herë të parë trofeun ndërkombëtar “Taçi Oil Albania Reads”, ndryshe nga tetori i vitit të kaluar kur humbi me Tiranën (2-1), por Shqipëria “B”, me talente premtues si Vila, Muzaka e Salihi, ia doli të mbyllte 90 minutat e kohës së rregullt me një rezultat joshës 3-3, ku për kuqezinjtë italianë shënuan dy fituesit e “Topit të artë”, Ronaldinjo e Shevçenko si dhe Filipo Inzagi. Shqipëria (ende pa trajner zyrtar) zhvilloi një lojë të pëlqyeshme, duke përmbysur disavantazhin 0-2. Trofeun kapitenit të Milanit në pjesën e dytë, Inzagit, ia dorëzoi Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili tha gjatë ceremonisë se “dalim të gjithë të emocionuar pamë spektakël, me një ekip të madh si Milani. Urime fituesit, pro dhe ne kemi një skuadër të madhe”. Dorëzimi i trofeut u shoqërua me një shi fishekzjarrësh e me një duartrokitje të fuqishme për një mbrëmje të madhe e të jashtëzakonshme.



PJESA E PARË



Trajneri i Shqipërisë, Artan Bushati, luajti me dy sulmues të mirëfilltë, duke hedhur në vijën e parë Hamdi Salihin e Migen Memellin, të mbështetur nga Dorian Bylykbashi e Klodian Duro, në rolin e tij natyral të fantazistit. Nga ana e tij, trajneri i Milanit, Karlo Ançeloti, i besoi sulmin nga minuta e parë Patos e Shevçenkos, me Ronaldinjos pas dhe Pirlon në rolin e regjisorit fuqiplotë të lojës. Kaka, Bekam e Sedorf u kursyen për pjesën e dytë.

Në minutën e 4-t, mesfushori i Dinamos, Elis Bakaj lëshoi një top nga e majta për sulmuesin Migen Memelli, ky i fundit e goditi me kokë brenda zonës milaneze, por topi u largua pa asnjë rrezik nga Milani. Në të 8’, Dorian Bylykbashi lëshoi një top për Hamdi Salihin, sulmuesi shkodran ndërmorri një lëvizje vertikale drejt qëndrës, duke goditur fort nga 18 metra, por Kalac ishte në pozicion. Në dhjetë minutat e para, disa veprime virtuoze të Ronaldinjos ngrohin atmosferën në stadium, që deri në atë moment ishte shumë i ftohtë.

Në minutën e 16-të, Klodian Duro u zhvendos bukur në këndin e djathtë të sulmit tonë, pasoi me zgjuarsi për Hamdi Salihin, ky i fundit bëri një rotullim të bukur me topin brenda zonës së vogël, por sfera e goditur ulët nga shkodrani doli jashtë kuadratit. Dy minuta më pas gjatë një tentative për të larguar topin, pas një kërcimi të fuqishëm me kokë, Vrapi dëmtoi pak Andrea Pirlon, por futbollistët shkëmbejnë duart miqësisht.

Minuta e 20-të prodhoi edhe një super-kombinacion midis Pirlos e Ronaldinjos, braziliani bëri xhonglimin tradicional të tij, duke u ndërfutur midis Beqirit e Vrapit, por Sheva u zu në pozicion jashtë loje brenda zonës sonë.

Minuta e 22-të. Shqipëri-Milan 0-1. Pas një gabimi të Vangjelit, Antonini zotëroi topin brenda zonës sonë, kombinoi mënjeherë me Ronaldinjon, e braziliani shënoi me një veprim të zgjuar, duke goditur në mënyrë cinike në anën e djathtë të portës së mbrojtur nga portieri i Palermos, Samir Ujkani.

Në fundin e pjesës së parë, Pato i shpëtoi mbulimit të Vrapit, ky i fundit e ndërpreu në mënyrë të parregullt dhe gjyqtari Lorenc Jemini dha faull. Pato gjuajti nga 25 metra, por goditja e brazilianit ishte shumë jashtë kuadratit.



PJESA E DYTË

Fraksioni i dytë nisi me Kakanë e Sedorfin në fushë, ndërsa Inzagi bëri nxehjen në pistë. Pa kaluar tri minuta nga pjesa e dytë Milani shënoi golin e dytë me anë të ukrainasit Andrij Shevçenko, ish-sulmuesi i Celsit mori një top nga Kaka, dhe me një supergoditje ia rrëshqiti topin mes shalës Ujkanit të “vogël”, duke sjellë edhe të qeshura në stadium. Shqipëri-Milan 0-2.

Në minutën e 64-t, anësori i Tiranës, Gjergji Muzaka dha një pas të artë për Vilën, talenti i ri durrsak tregoi klasin e tij, duke shënuar një gol për manual në portën e Milanit, e duke rritur adrenalinën ën shkallët e tifozëve, të cilët thirrën pareshtur “Shqipëri...Shqipëri!”. Shqipëri-Milan 1-2.

Një gol i merituar i Vilës, që padyshim ka për ta mbajtur gjatë në kujtesë, pasi u realizua pikërisht në debutimin e tij të parë me fanellën e Kombëtares. Durrsaku 20-vjeçar shndërrohet kështu në një nga shpresat më të mëdha të futbollit shqiptar, pavarësisht se këtu flitet vetëm për një ndeshje miqësore ndërkombëtare, por në një ndeshje kundër Milanit të madh.

Kuqezinjtë tanë rrisin presionin, ndërkohë që Ançeloti fut Inzagin në vend të Shevçenkos, ndërsa doli edhe Ronaldinjo në minutën e 69-të. Në minutën e 70-të, Muzaka realizoi një tjetër kryevepër, duke i çuar shifrat në 2-2 brenda gjashtë minutave. Shqipëri-Milan 2-2. Goli i dytë i Muzakës kundër Milanit, përfshirë edhe atë në fitoren 2-1 të Tiranës tetorin e vitit të kaluar.

Në të 75’, erdhi radha e Salihit për të firmosur golin e radhës. Klodian Duro veproi bukur brenda zonës nga e djathta e sulmit tonë, krosoi ëmbël për Salihin dhe aty shkodrani me një goditje perfekte me kokë çoi në delir tifozerinë shqiptare. Shqipëri-Milan 3-2

Në minutën e 88-të, Kaka dëshnmoi klasin e tij, duke kaluar si “piramida” mbrojtësit tanë e duke nxjerrë përballë portës “gjahtarin” e golave, Pipo Inzagin, ky i fundit nuk fali, duke vendosur shifrat në 3-3. Një gol me të vërtetë i mrekullueshëm nga ana e Milanit. Në minutën e 92-të, Hyka u tregua një magjistar i vërtetë, me driblimin e tij, pasoi djathtas te Muzaka, ky krosoi drejt portës, e aty Franc Veliu goditi bukur me kokë, por pa mundur të shënojë.



PENALLTITË

Me ndeshjen e mbyllur në barazim 3-3, dy skuadrat iu drejtuan gjuajtjeve të penalltive për të përcaktuar fituesin e trofeut të dytë “Taçi Oil Albania Reads”. Kaka goditi i pari nga pika e bardhë, duke shënuar për Milanin, 1-0. Pisha ishte i pari që gjuajti i pari për Shqipërinë, duke shënuar edhe ai, 1-1. Sedorf për Milanin shënoi me një gjuajtje të bukur teknike, 2-1. Muzaka realizoi, 2-2. Francezi Flamini, 3-2. Vila, i jashtëzakonshëm, 3-3. Tiago Silva, 4-3. Vrapi, 4-4. Pipo Inzagi, 5-4. Elvin Beqiri, gabon duke e nxjerrë jashtë mbi traversë topin. Milani fitoi me penallti 5-4, duke fituar edhe trofeut të dytë “Taçi Oil Albania Reads”. Kupën e argjendtë, prej 7kg e të prodhuar në Itali, iu dha Milanit nga presidenti i Republikës, Bamir Topi, në një sfond muzikor me kolonën zanore të Milanit.





SHQIPËRI-MILAN 3-3

Shënues: Vila, Muzaka, Salihi/ Ronaldinjo, Shevçenko, Inzagi 88’

Me penallti Milani fitoi 5-4. Elvin Beqiri humbi penalltinë e fundit për Shqipërinë.







12 mijë tifozë



Rreth 12 mijë të pranishëm në “Qemal Stafa”, ku mbizotëronte ngjyra e kuqe brohoritën fort golat e Milanit, të realizuar nga Ronaldinjo e Shevçenko e Inzagi, por edhe për golat e jashtëzakonshëm të Emiljano Vilës, Gjergj Muzakes e Hamdi Salihit. Në “Qemal Stafa” ishin të pranishëm grupimi “Tifozat Kuq e Zi”, “Red Black sincë 1443” dhe “Fanatics” të Tiranës. Edhe ndonjë “Milan vafan...” u dëgjua në ndonjë rast.

 

Soni “ndez” Ronaldinjon



Këngëtarja e njohur Soni Malaj, e veshur në mënyrë provokuese në një fustan shumë të hapur rozë në version seksi, përformoi përpara startimit të ndeshjes, nën vështrimin e “epshëm” të Ronaldinjos, Pirlos, por dhe të “ashprit” Xhenaro Gatuzo, kapiteni i Milanit në këtë miqësore. Nga Shqipëria shiritin e kapitenit për herë të parë e mbajti Klodian Duro.



Ançeloti “ngatërron” udhëzimet



Në pushimin e ndeshjes, nën tingujt e ëmbël të bukuroshes Soni Malaj, e shoqëruar nga dy vajza të hijshme, Ançeloti u dha udhëzimet e rastit Kakasë e Flaminisë, por duke kthyer disa herë kokën nga Soni. Edhe Sedorf nuk mund t’i mungonte listës së admiruesve të këngëtares shqiptare. 



“Nxehet” Kaka dhe buzëqesh



Dalja në nxehje e yllit brazilian Riki Kaka u prit me duartrokitje frenetike nga tifozët. Fituesi i “Topit të artë” iu kundërpërgjigj me buzëqeshje dhe përshëndetje me duar. Sedorf, nga ana e tij bëri disa vrapime të shpejta në pistë, duke entuziazmuar tifozët e tribunës D1. Në nxehje ishte edhe Zambrota, Flamini.



Kaka jep autografe për “Kaka”



Disa fëmijë të ngarkuar për t’u ngarkuar për të kapur topat arritën të merrnin autografe nga Kaka, por më i veçantë ishte një fëmijë i vogël, rreth 4 vjeç, i cili ishte veshur me një bluzë të Milanit me numrin 22, numrin e emrin e Kakasë. Braziliani i sheh numrin dhe i jep një autograf me shumë kënaqësi. Ronaldinjo u pushtua nga dhjetëra fëmijë, e po kështu edhe Shevçenko.



Dy çeqe, 80 mijë euro



Në pushim të ndeshjes, Presidenti i “Taçi Oil”, Rezart Taçi, administratori i Milanit, Galiani, dy çeqe në vlerën e 30 mije eurove për “UNICEF”-in dhe 50 mijë euro për fondacionit të fëmijëve shqiptarë “Domenico Scaglione”. Zonja Liri Berisha dha nga a saj dhurata për Galianin e Taçin.



Tribuna “VIP”



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nuk kishte si të mungonte. “Rolin” e kryeministrit Berisha e luajti bashkëshortja e tij, Liri Berisha. Një numër i konsiderueshëm ministrash ishin të pranishëm në ndeshje, për të mos harruar deputetët.



Jemini mban premtimin



Gjyqtari i takimit Lorenc Jemini, një tifoz i thekur i Juventusit, kishte “premtuar” para medias se do t’i nxirrte një karton të verdhë Kakasë, sapo t’i jepej mundësia. Shkaku është intrigues. Gruaja e gjyqtari është tifoze e çmendur e Milanit dhe personalisht Kakasë. Jemini nuk hezitoi ta ndëshkonte, duke sjellë edhe të qeshura në stadium.


E Marte, 12 Maj 2009