Nga Miho Gjini


Thuajse është harruar komedia, si gjinia me e hershme dhe më e dashur e publikut, kur në skenat shqiptare janë mbyllur (pa asnjë shpjegim publik!), 15 estrada a teatro të varietesë dhe teatri i vetëm i komedisë që kishte kryeqyteti ynë! Realisht, bëhet fjale për një regres, mekje të së qeshurës, të haresë, kur problemet e streset tona shtohen pareshtur Ndërkohë që Teatri i Dramës e ka më për mbarë të anojë nga dramatikja, me rëndesën e saj të psikologjisë, edhe të kolizioneve sociale, por edhe për arsyen e vetme që aktorët komikë janë e mbeten fort të rrallë dhe mund të numërohen vetëm me gishta: as 10 të tillë brenda 70 vjetëve (sikundër janë Mihal Popi, Viktor Gjoka, Nikolin Xhoja, Pandi Raidhi, Roland Trebicka, Robert Ndrenika, Tano Banushi, Skënder Sollaku dhe ndonjë tjetër, që nuk e ka arritur ende nivelin e tyre). Dhe, për habinë tonë, në vend që ti lejohej (të paktën!) kryeqytetit tonë metropolitan Estrada (a Varieteja) e Shtetit, i mbyllet sipari Teatrit (të vetëm) të Komedisë, për të emëruar një Teatër Eksperimental, i cili është po aq i domosdoshëm dhe mundej të hapej gjetkë a diku afër nesh, ndërkohë që ato pak teatro të dramës duhet që patjetër të eksperimentojnë përherë, ndryshe pushon ekzistenca e tyre! Por neve, na vjen më për mbarë të prishim sesa të ndreqim!


Jashtë bie borë, shfaqja më e mirë e festivalit

Jashtë bie borë, shfaqja më e mirë e festivalit


Kjo frymë kundër së qeshurës u duk edhe kësaj radhe, kur u pa në Festivalin e Komedisë në Preshevë, mospjesëmarrja e dy trupave tona që ishin orvatur të bëjnë komedi dhe befas e ndjenë veten me këmbë të lidhura! Nuk u dhanë asnjë mundësi lëvizëse për të vajtur deri aty, tek vëllezërit shqiptarë, për të thënë se edhe ne dimë të bëjmë komedi, edhe pse nuk na lënë komedimbytësit e dreqit dhe të shejtanit!. Kështu që, do të shihnim aty vetëm katër trupa nga Kosova (Prishtina, Peja e Gjilani), një trupë nga Kumanova e Maqedonisë dhe trupa vendase, nga Presheva. Dhe paradoksi do të ishte ky: Përveç Komunës së Preshevës që ishte sponsori kryesor i këtij manifestimi prestigjioz të artit shqiptar, e mbështeti edhe Ministria e Kulturës e Serbisë(!), ndërsa Ministria e Kulturës në Tiranë, jo vetëm që e ka mbyllur përgjithmonë siparin e Teatrit të Komedisë ne kryeqytetin e vet, po as që e di, ndofta, se çbëhet në ato pak teatro tona që kanë mbetur akoma (çuditërisht!) e jo ti shpjerë ato deri në Preshevë


Vlora Nikci, aktorja më e mirë e festivalit

Vlora Nikci, aktorja më e mirë e festivalit


Megjithatë, le të ngushëllohemi, që paska një seriozitet, për ta mbajtur gjalle të qeshurën, këtu në Preshevë. Ka 21 vjet që shqiptaret e Luginës së Preshevës mbajnë gjallë, të profilizuar Ditët e Komedisë Shqiptare dhe prej 2-7 nëntor u shënua edicioni i 12-të. Suksesi, edhe kësaj rradhe, u kushtohej këtyre banorëve patriotë e artdashës, artistëve, po edhe pushtetarëve të zgjedhur e të përkushtuar, sikundër janë kryetari i komunës Rahmi Mustafa e menaxheri dinjitoz, drejtori Nasër Nuredini. Edhe këtu, si në Dibrën e Madhe, salla është e mbushur plot dhe shfaqjet ndiqen me kënaqësi të rrallë, nga njerëz që rrinë edhe në këmbë, mbështetur pas mureve dhe që e marrin harenë e së qeshurës më vete, kur perdja mbyllet. Komedia e vendasve Jashtë bie bore, prej Vincenzo Salemme, komedia e Teatrit Istref Begolli të Pejës, Zbritja nga mali Morgan, nga Artur Miler, Komedia e Teatrit Kombëtar të Prishtinës Dashnori i nënës time, nga Adem Mikullovci, si edhe ajo e Teatrit Dodona, po në Prishtinë, Lojë martesë, prej Edward Albee, komedia e Teatrit të Dramës Shqipe të Kumanovës, Bouncers, nga John Godberg dhe ajo e Teatrit të qytetit të Gjilanit, Mbledhje në parlament, nga Ray Cooney, rrëfyen se sa shumë kemi nevojë për këtë gjini të harruar e të persekutuar!, kur po na mbyt serioziteti, stresi dhe pagjumësia prej halleve të shumta që nuk kanë mbaruar ende…


Adem Mikullovci, aktori më i mirë i festivalit

Adem Mikullovci, aktori më i mirë i festivalit


Në këto shfaqje vumë re edhe një nivel profesional të regjisurës dhe të aktrimit. Regjisori-pedagog i Akademisë së Arteve të Tiranes, Milto Kutali, kishte punuar me frymëzim në Pejë, ku Artur Miler, si një dramaturg me finesë, zbërthen natyrën e njeriut maniak, pas bigamisë, kur një aksident i tij në malin Morgan, vë në prove të dyja shemrat, që ai është munduar ti mbaje pranë vetes. Dhe parodia është e një shqiptari të emigruar dikur, i cili nuk heq dore nga mania e vjetër, derisa të shpartallohet si karakter brenda kësaj komedie të zezë, të thurur prej mjeshtrit gjenial të dramaturgjisë moderne. Një satirë e thelle, e trajtuar prej Kutalit ne gjuhen realistë, me tipare të modernizmit dhe mjaft herë në një natyre poetike, e ngre lart performancën e tij, pse jo, në një trup heterogjen, ku jo të gjithë kane përvojën profesionale. Shfaqja fituese e vendasve, Jashtë bie shi, prekte fenomenin e kudondodhur të prishjes së vëllezërisë, kur hyn në mes tyre paraja, në trajtën e trashëgimisë. Parazitizmi, egoizmi individual dhe braktisja e çdo gjeje njerëzore, bashkohen këtu në një trajtë satirike, që arrin groteskun. Regjisori i njohur i trevave shqiptare, Musa Isufi, njëherësh edhe aktor i një profili interesant, krijon këtu një tallje të madhe, ku i marri është më i mençur në lojë se të dy vëllezërit me normal, që përpiqen ta aneksojnë e ta mbyllin ne një Spital Psikiatrik, për ti zhvatur pjesën e tij të trashëgimisë. Kemi të bëjmë me një komedi të zezë, ku bëhet tollovi sa është e mundur, tallje nga të dy krahët dhe avokati, më në fund, ska kujt tia japë trashëgiminë, kur personazhet do të vdesin pas një helmimi të bërë nga lakmia, makutëria e incesti kafshëror i eliminimit të njeriut përbrenda familjes! Ndofta në këtë operim regjisorial nuk duhej larguar aq shumë nga lënda e autorit si psikologji, po edhe si melodramë e një sfondi të zi, kur publiku do të qeshë edhe në përfundimin tragjik të personazheve, në vend të një hidhërim fundor, ku duhej të arrinte komedia e zezë e Salemmës. Ndërsa gallata e bërë në komedinë humoristike të Adem Mikullovcit, do të zgjonte një ilaritet më të madh, për vetë suzhetin bashkëkohor të martesave në pleqëri, ku do të përplasën disa grupe moshash e fqinjë të apartamenteve përreth, përshkuar edhe nga aventurizmi, etja për të dëfryer, por edhe nga penetrimi i interesit ne karaktere të veçantë njerëzish, që i tejshkon hipokrizia dhe vrasja e kohës, kur shoqëria ndodhet në tranzicionin e saj të gjatë. Meritonin vëmendje edhe disa komedi ndryshe, si Loje martesë e teatrit Dodona, Bouncers e teatrit të Kumanovës dhe ajo e Mbledhjes në Parlament e Teatrit të jilanit


Aktorët e teatrit Ultra të Kumanovës

Aktorët e teatrit Ultra të Kumanovës


Ky repertor i pasur bashkëkohor, do të jepte njëherësh një lëndë të begatë për interpretime të larmishme të personazheve, atmosferë të hareshme, të shoqëruar me të qeshurën e komedisë, që po na rreshket duarsh, por edhe reflektonte në të njëjtën kohë dobësinë e vërejtur tash sa vjet e dekada, për rrallimin e komedisë kombëtare, si gjini e preferuar për publikun. Dhe do të vijmë përsëri aty ku na Dhemb dhëmballa: në braktisjen e gjinisë nga dramaturgët, që nuk i kemi aq sa duhet (për njëmijë arsye!), nga autorët, regjisorët e aktorët që nuk e kërkojnë atë me ngulm (qoftë edhe përmes dramatizimesh të letërsisë tone satiro-humoristike), nga drejtoret e teatrove që nuk ngulmojnë në këtë drejtim e i bien shkurt me komedi të huaja të afirmuara në skenën botërore, si edhe nga ata pushtetarë e qeveritarë, që nuk e kanë për gjë ti zhdukin institucionet e komedisë Dhe mbetemi p.sh tek një Mikulovci i Kosovës, aktor e dramaturg njëherësh, që solli këtu një komedi të tij dhe e interpretoi po vetë, edhe pse në moshë madhore. Po kjo shfaqje e këndshme, ku humori derdhet së tepërmi nga skena, deri në dehje prezantoi edhe një tufë aktorësh brilantë të komedisë, sikundër ishin Leze Qena, Sheqerije Buqaj (e vlerësuar si aktorja me e mire për rolet jo protagonistë), Shpejtim Kastrati, Ylber Bardhi, Makfire Miftari, Florentina Ademi e Basri Shala. Një komedi e mirë, kombëtare ose e huaj kërkon edhe aktorët e saj, gjuhën e ngjyrosur të shakasë, si edhe masën, se deri ku duhet të shkojë fjala e shprehur për të goditur ne shenjë, a për të mos dalë jashtë gardhit që ka vendosur komediografi. Shembulli i aktoreve tanë Nikolin Xhoja e Roland Trebicka që improvizonin pa reshtur, po pa dalë jashtë gardhit, po përbrenda karakterit komik, edhe pse livadhisnin më përtej autorit, tej e tëhu. Ishte një ekscepsion, vlerë e rrallë e artit të tyre Në shfaqjen jashtë bie shi spikatën dy interpretues me stof aktori të shkëlqyer, sikundër ishin Gani Veseli e Ismail Kasumi. Në shfaqjen Loje martesë që një dyshe aktoresh interesant, ku do të kërciste, si para një shpërthimi, jo të zakonshëm, Vlora Nikci, e cila u vlerësua si aktorja më e mirë e festivalit për rolin e protagonistes. Një aktore profesioniste, që interpretoi figurën e saj me elegancë e plot siguri skenike, ishte gjithashtu aktorja kosovare Aida Alidemi, e cila lozi rolin Milerian të Leas në shfaqjen e Teatrit të Pejës. Në një interpretim figure të natyrshme do të prezantohej edhe aktori i Teatrit të Gjilanit, Alban Shahiqi, që do të ndiqej po këtu nga aktorja me lirshmëri skenike Tringa Hasani. Ndërsa një ansambël aktorësh energjik, që kalonin situata të ndërlikuara në një skenë bosh, pa asnjë dekor, do të ishin ata të Teatrit të Kumanovës, me në krye Qazmedin Nuredinin (njëherësh edhe regjisor i shfaqjes), Enver Halimin, Sefedin Shahanin dhe Shkëlqim Islamin.


Duke i mbyllur mbresat e mia prej këtij festivali, pa bërë edhe vërejtjet e zakonshme të kritikës profesionale, ku vlerat janë superiore ndaj të metave dhe, akoma, sepse gjithashtu vendi nuk na i lejon shtjellimin e mëtejshëm, është rasti të prekim e të shënojmë meritën e lartë të festivaleve që zhvillohen në trevat shqiptare, ku FLITET SHQIP ME PASTËR E ME BUKUR sesa, nganjëherë edhe në skenat e vendit amë, ku gjuha, sidomos në komedi, merr enkas deformime përmes nëndialektalizmave, zhargoneve e banaliteteve të thëna açik, duke menduar se na i lejon komedia dhe së i ka qejf publiku!. E mjera komedi së çheq!….