Nga Aurenc Bebja


Paris-soir ka botuar, të mërkurën e 12 prillit 1939, në faqen n°5, një shkrim në lidhje me gjendjen shëndetësore të mbretëreshës Geraldinë, asokohe e strehuar në Greqi. Në shkrim thuhet se Mbretëreshën Geraldinë e kanë zënë ethet e lehonisë (puerperale).


Shkrimi i plotë


(Nga korrespondenti ynë i veçantë)


Athinë, 11 Prill.


(Nëpërmjet telefonit.)


Mbreti Zog mbërriti me mbretëreshën Geraldinë, fëmijën dhe të afërmit e tyre, në Portaria, pranë Volos, në Thesali. Sovranët shqiptarë do të qëndrojnë në Portaria derisa të përmirësohet mbretëresha Geraldinë, sepse ajo është sëmurë rëndë për shkak të lëvizjeve të shkaktuara nga largimi i saj prej Tirane, 48 orë pas lindjes. Mbretëreshën Geraldinë e kanë zënë ethet e lehonisë (puerperale).


Profesori Luros, gjinekologu më i madh (i talentuar) grek, u dërgua në shërbim të sovranes nga vetë Mbreti Jorgo i Greqisë.


Gjendja shëndetësore e mbretëreshës, e cila ishte përkeqësuar natën e kaluar, duket se është përmirësuar lehtësisht këtë mëngjes. Le të shtojmë se Mbreti Zog i ka kërkuar Turqisë një leje qëndrimi.