Kurba e lindjes së fenomeneve të reja muzikore është në rritje. Çdo vit nga spektaklet e ndryshme muzikore, siç është "X-Factor", dalin të rinj shumë të talentuar, që më pas pushtojnë hit-paradat. Shpesh talentet e reja përputhen edhe me shijet e publikut, që i ndjek jo vetëm përmes ekranit, por edhe në internet përmes faqeve "My space", "Facebook", "Twitter" etj.



Arsyet pse bëhen kaq të famshëm? Janë me mijëra, por kryesorja mbetet kjo: marketingu i shitjes së disqeve. Çdo gjë e vendos ky i fundit. Publiku ka nevojë të duartrokasë artistë të rinj, të dëgjojë këngë e disqe të reja ose të shohë një trup më të bukur nga ato që ka parë deri tani. Ndoshta logjikisht kjo gjë është e gabuar, por biznesi di të ndjekë politikën e duhur. Në muzikë femrat shesin më shumë disqe. Ky është i gjithë sekreti.





Melanie Fiona



Le të fillojmë nga vajza e dy emigrantëve nga Gajana që vendosën të transferoheshin në Toronto, Kanada. "Give it to me rigat" është kënga me të cilën Melanie ka pushtuar klasifikimet. Melanie është vlerësuar veçanërisht për potencën e zërit. Kënga "Give it to me rigat" bazohet te "Zombiet" e ‘68-ës. Melanie do të ketë një karrierë të suksesshme, por gjithçka do të varet nga këngët që kompozitorët do të shkruajnë për të.





Lily Allen



Është një vajzë që një mësues i vjetër filloreje do ta quante "një gomaricë e vërtetë". Lily e ka lënë shumë herët shkollën, sepse nuk arrinte të mësonte asgjë. Të vetmet gjëra që arrijnë t‘i nguliten në kujtesë janë muzika dhe thashethemet që bën me shoqet në internet. Pasi u krijua faqja e internetit "My space" Lily vendosi ta fillonte që aty karrierën e saj si këngëtare. Fati deshi që ëndrra e saj të përmbushej dhe në 2005-n publikoi diskun e saj të parë "Smile". Pjesa tjetër është historia e ditëve tona që me CD e 2008-ës "It‘s not me it‘s you" arriti majat e klasifikimeve. Për Lily-n parashikohet një karrierë e suksesshme, edhe pse popullariteti është i lidhur me modën e momentit dhe dihet që moda kalon.





Amy MacDonald



Kjo bukuroshe skoceze nuk i ka mbushur ende të 20-at. Amy është bërë pjesë e hit-paradave që pas publikimit të albumit "This is the life". "Kam një vit që shëtis botën duke kënduar të njëjtën këngë. Herët ose vonë do të më duhet t‘i jap fund, sepse në të kundërt do të arrij të dyzetat dhe do të jem sërish këtu duke kënduar ‘This is the life‘", ka thënë Amy. Dhe kjo është e vërtetë, ashtu siç është i vërtetë fakti që ka shitur mbi dy milionë kopje të albumit. Për Amy-n parashikohet një karrierë e suksesshme nëse do të vazhdojë të ndjekë linjën pop-rock-folk personale.





Katy Perry dhe Lady Gaga



Këta dy emra qëndrojnë në të njëjtën kategori, sepse mbi të ardhmen e tyre ka shumë pikëpyetje. Lehtësia me të cilën si Katy ashtu dhe Lady Gaga (emri i vërtetë, Joanne Stefani Germanotta) kanë arritur të pushtojnë gazetat rozë dhe më pas majat e klasifikimeve ( me këngët "I kissed a girl" e "Poker face"), lë për të dëshiruar. Shumë famë dhe pak sukses. Këngët e tyre janë cilësuar si këngë për fëmijë. Me sa duket, vajzat bukuroshe nuk e dinë se fëmijët, ashtu si të rriturit mërziten shpejt me këngët.





Beth Ditto dhe "The Gossip"



Ditto është një vajzë bullafiqe, por që nuk shqetësohet shumë për këtë fakt. Ajo është rritur në Arkansas, në një varfëri të paimagjinueshme. Pesha nuk ka qenë kurrë një problem për të, madje për ta vërtetuar edhe më shumë këtë, Beth i ka mbyllur koncertet e saj gjysmë e zhveshur ose duke veshur reçipeta e zhartierë që as Gisele Bündchen nuk do të guxonte t‘i vishte. Për fansat, Beth është e paarritshme. E ardhmja? E mirë, sigurisht nëse do të arrijë të bëjë këngë vërtet të mira, siç është hiti i momentit "Heavy Cross".





Të tjerat



Nuk duhet t‘i humbisni nga vëmendja Pixxi Lott, Demi Lovato, Shontelle, Ciara, binjaket Nina Sky, Taylor Swift dhe një vajzë nga Brighton, emri së cilës është Natasha Khan, por që ka vendosur të ndryshojë në Bat For Lashes. Janë të gjitha interesante dhe gati për të kënaqur publikun, që pjesa më e madhe janë adoleshentë.