Të gjitha monumentet kulturore dhe fetare tash e tutje do të ruhen nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Monumentet kulturore dhe fetare, të cilat gjenden anekënd Kosovës, që nga paslufta ruheshin nga forcat e mëdha të KFOR-it.



Ruajtjen e monumenteve kulturore dhe fetare nga Policia e Kosovës, disa nga qytetarët serbë e kanë pritur mirë, e disa më skeptikë.



Një ditë më parë, komandanti i krahut jugor të NATO–s, admirali Mark Fritzgerald, ka përmendur se disa përgjegjësi të fushës së sigurisë do t’u barten institucioneve vendëse.

Trupat e KFOR-it vazhdojnë të ruajnë disa nga objektet fetare ortodokse, gjë kjo e paraparë me Rezolutën 1244. Këto monumente do të vazhdojnë tash e tutje të ruhen nga ana e Shërbimit Policor të Kosovës.



“Ndërkohë që trupat e KFOR-it po shkurtohen, një pjesë e përgjegjësisë për ruajtjen e këtyre e monumenteve mund t’i kalojë Policisë së Kosovës”, kështu ka deklaruar një ditë më parë admirali Fritzgerald.



Megjithatë, sipas një qytetari nga Graçanica, ruajtja e këtyre monumenteve kulturore dhe fetare nga ana e Policisë së Kosovës nuk do të jetë e njëjtë sikurse ajo që kanë bërë pjesëtarët e KFOR-it.



“Nuk mendoj që do të ruhen mirë këto monumente prej Policisë së Kosovës qysh janë ruajtur prej KFOR–it”, thotë ai. Ky qytetar nga Graçanica brengoset për monumentet, të cilat gjenden në ato vende ku nuk ka banorë serbë.



Ndërsa për Rasiq Branisllavin, qytetar nga Graçanica, vendimin për ruajtjen e këtyre monumenteve e mirëpret. Ai nuk sheh ndonjë ndryshim nga kjo përkujdesje qoftë nga KFOR- i apo Policia e Kosovës.



“Shërbimi Policor i Kosovës janë shumë të mirë dhe unë kam besim në Policinë e Kosovës, për mua ruajtja e monumenteve historike si nga ana e KFOR–it, si nga ana e Policisë së Kosovës, është e njëjtë”.



Si do që të jetë, në një prononcim për Expressin, zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Baki Kelani tha se policia në koordinim me KFOR-in bëjnë ruajtjen e këtyre monumenteve historike.



“Policia e Kosovës bën ruajtjen e monumenteve kulturore, varësisht prej nevojave dhe diskutimeve me KFOR-in”, thotë Baki Kelani.



Policia nuk beson se serbët do të kenë ndonjë reagim nga ana e serbëve lokalë.



“Nuk mund të paragjykojmë nëse presim rezistencë prej serbëve apo jo. Ne gradualisht, në bazë të diskutimeve me KFOR-in dhe përgatitjeve tona, aty ku vlerësohet se mund të kyçemi, do të fillojmë gradualisht të marrim përgjegjësitë tona”, thotë zëdhënësi i Policisë.