15/04/2011  Shahet Çamëria e çamët, deklamohet Himara si Greqi. Policia asnjë veprim


VLORE- Në rrugën nacionale Himarë-Sarandë, si dhe në brendësi të qytetit të Himarës në ditët e fundit bien në sy shumë shkrime të shkruara në greqisht. Tashmë që fushata ka pak ditë që ka filluar, përveç posterave të kandidatëve, të cilët garojnë për kreun e Himarës, të bien në sy shkrime në gjuhën greke. Në to shahen çamët e Çamëria, si p.sh.: "Fuck Çamëri", "Çamët, racë e qelbur", ndërkohë që fjalët në greqisht ishin të një domethënieje tjetër, si "Himara është greke", "Vorio-epiri tokë greke", "Himara baras Greqi", "Himara është pjesë e Greqisë" etj.


Parullat


Në qytetin e Himarës këto shkrime janë të përhapura në pothuajse të gjitha rrugët parësore e dytësore, por dhe në aksin nacional Vlorë-Himarë-Sarandë. Shkrimet nisnin që në hyrje të Dhërmiut e deri në brendësi të qytetit të Himarës. Krahas shkrimeve greke ndodhej edhe flamuri grek. Ngjarje të tilla janë zhvilluar gjithmonë në prag fushatash të zgjedhjeve, si vendore, ashtu dhe qendrore. Disa qytetarë që sduan të identifikohen shprehen se ato janë shkruar gjatë natës duke gdhirë e mërkurë dhe se më parë nuk kishte shkrime të tilla. Deri tani nuk ka pasur asnjë reagim si nga ana e politikës, por edhe nga ana e kreut të Bashkisë së Himarës. Po ashtu edhe nga policia nuk ka nisur ende asnjë hetim apo ndonjë masë për të parandaluar aktet raciste.