Tani kur është mbyllur numërimi dhe është mësuar rezultati në numër deputetësh, të dhënat tregojnë se koalicioni i majtë ka marrë 991.118 vota ose 57.8 përqind.
Koalicioni i djathtë ka marrë 676.433 vota ose 39.4 përqind të votave.
Siç raporton Panorama, në parlamentin e ri koalicioni i majtë do të përfaqësohet me 84 mandate, nga të cilat 66 PS, 16 LSI, 1 PBDNJ dhe 1 PKDSH. Ndërsa koalicioni i drejtuar nga Sali Berisha do të ketë vetëm 56 mandate, nga të cilat 49 PD, 4 PDIU, 3 PR.
Nga krahasimi i votave i vitit 2009 me zgjedhjet e vitit 2013, rezulton që Partisë Socialiste, si forcë kryesore, i janë shtuar në këto zgjedhje rreth 91 mijë vota. PS në këto zgjedhje ka fituar 711.765 vota, nga 620.586 që kishte katër vite më parë. Rritja e PS-së në këto zgjedhje ka mundësuar shtimin me një mandat në parlament, duke shkuar me 66 mandate, nga 65 që kishte në vitin 2009. Ndërsa PD në këto zgjedhje ka marrë në total 524.800 vota, nga 610.463 vota që kishte në vitin 2009, rreth 85 mijë vota më pak. Demokratët humbën në këto zgjedhje karriget e 14 deputetëve në Parlament, pasi në këto zgjedhje nuk morën më shumë se 49 mandate, nga 68 që kishin katër vite më parë.
Bumin tek e majta në këto zgjedhje e solli LSI, që në katër vite ka shtuar votat e saj me 105 mijë vota. LSI në zgjedhjet e 2009-s mori një total prej 73.678 votash, ndërsa në zgjedhjet e 2013-s LSI e Ilir Metës mori një total prej 179.449 votash./ep