Nga Express më 15 mars 2011 në ora 18:30

Dy senatorë të mirënjohur amerikanë po i bëjnë thirrje administratës së presidentit, Barack Obama që të njohë opozitën e Libisë, siç ka vepruar Franca dhe të vendosë një ndalim fluturimi për të ndihmuar kryengritësit që po ndeshen me forcat e Muammar Gaddafit.



Senatorët paraqitën një rezolutë, që u bën thirrje Shteteve të Bashkuara të ndërhyjnë sa më parë në Libi.



Senatori republikan, John Mc Cain, theksoi se situata në Libi po bëhet gjithnjë e më e zymtë.



“Në këtë çast, kundërshtarët e kolonel Gaddafit dhe mbështetësit e tij janë duke luftuar për mbijetesë. Gaddafi ka nisur një fushatë të egër dhune kundër popullit të Libisë, përfshi civilët që nuk kanë marrë pjesë në luftime, duke përdorur çdo mjet në dispozicion”, tha McCain.



Duke folur në Senat, McCain tha se Shtetet e Bashkuara nuk mund të rrinë mënjanë dhe të shikojnë se si Gaddafi rimerr kontrollin mbi Libinë.



“Së pari, presidenti duhet të njohë këshillin kalimtar kombëtar të Libisë, i cili ka selinë në Bengazi, por përfaqëson vendbanimet në të gjithë vendin, si autoritetin e vetëm legjitim për qeverisjen e Libisë, ashtu siç ka bërë Franca. Së dyti, presidenti duhet të marrë hapa të menjëhershëm për të vendosur një ndalim fluturimi mbi Libi me mbështetje ndërkombëtare”, tha McCain.



Ai u mbështet edhe nga senatori Joe Liebermann.