Lajmi për rikthimin e Mikael Shumaher në timonin e Ferrarit ka bërë që tifozët të shfaqen gjithmonë e më shumë të interesuar për këtë kampionat të Formula 1. Përfituesit e parë janë organizatorët e Çmimit të Madh të Europës, e programuar të zhvillohet më 23 gusht në Valencia. Pas më pak se tri javëve, Shumi do të kthehet zyrtarisht pas largimit në vitin 2006. Kaq ka mjaftuar që të pasionuarit pas këtij sporti të dynden drejt pikave të shitjes së biletave: nga 75 mijë vende që ka cirkuiti, 40 mijë janë zënë. Karlos Moreno Figueroa, drejtues i "Valmor Sports", kompania që organizon garën tha: "Fillimisht interesimi i tifozëve ishte i vogël, edhe prej lajmit për skualifikimin e Renaultit dhe si rrjedhojë e Fernando Alonsos. Por, në të njëjtën javë u përhap lajmi për rikthimin e Shumaher dhe kjo bëri që biletat të shiten me ritme të larta". Tashmë, mesatarja e biletave të shitura është 10 mijë në ditë. I njëjti fenomen është regjistruar edhe në Belgjikë, për garën e 30 gushtit që do të zhvillohet në cirkuitin e SPA-së. Ndërkohë, Berni Ekleston ka bërë të ditur se që prej vitit 2010, Formula 1 do të garojë sërish në Montreal, për Çmimin e Madh të Kanadasë. "Do të garojmë sërish në Kanada, por harrojeni Indianapolisin. Atje nuk kthehemi më", tha britaniku.