GRID RROJI


Përfundimi i gjyqit të Ilir Metës dhe ardhja e provave të deshifruara nga FBI-ja, së bashku me deklaratat e ambasadorit Arvizu mbi Prokurorinë, kanë hapur stinën e gjuetisë në politikën shqiptare. Pyetja së cilës të gjitha palët mundohen t’i përgjigjen pozitivisht është: Me kë është Amerika?

Mirëpo shtrimi i problemit në këtë mënyrë të thjeshtuar tradhton mendësinë feudale të palëve politike e të pasuesve të tyre mediatikë dhe nuk i shërben analizës së qartë të arsyeve dhe motivimit të SHBA-ve në marrëdhëniet ndërkombëtare në përgjithësi dhe vis-à-vis Shqipërisë në veçanti. Askush, përfshi edhe të nënshkruarin, nuk mund të interpretojë sipas qejfit mesazhet e një qeverie serioze si ajo e SHBA-ve, e cila nuk ngurron t’i japë ato në kanalet dhe me mjetet që dëshiron. Por ajo që mund të bëhet është të analizohen në mënyrë racionale deklaratat e zyrtarëve amerikanë dhe parimet që ato mbartin. Ndryshe nga politika jonë, Amerika e bazon politikën e vet në një ideologji të qartë, e cila nuk ndryshon as sipas orekseve politike dhe interesave të ngushta, e as nga ana parimore. Politika e jashtme amerikane mbështet forcimin e demokracisë, të shtetit ligjor dhe mirëfunksionimin e institucioneve – të cilat garantojnë stabilitetin politik të një vendi – jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë. Amerika nuk devijon nga këto parime bazë të politikës së saj të jashtme në asnjë rrethanë e në asnjë kontekst dhe interpretimet e politikës shqiptare për favorizim përçojnë mendësinë thellësisht jodemokratike që përshkon politikën shqiptare. Jo vetëm ambasadori Arvizu, por së fundi edhe kryeprokurori britanik dhe ambasadorja gjermane, përtej mënyrës individuale të të shprehurit, i kanë pasqyruar këto qëndrime parimore ndaj politikës shqiptare.

Duke qenë se Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet një nga aleatet më të qëndrueshme të SHBA-ve, mbarëvajtja e demokracisë në Shqipëri ka pasur vend të veçantë në axhendën amerikane. Sikundër shqiptarët nuk kanë njohur aleate më besnike e të qëndrueshme në historinë e tyre si komb se sa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më tej, ndjenjat e anasjella miqësore si dhe adhurimi i shqiptarëve për sistemin politik amerikan, në gjykimin tim reflektojnë afërsinë natyrale mes dy popujve dhe përparësinë e përbashkët mbi disa parime bazë, siç janë liria, vlerat demokratike dhe zhvillimi ekonomik. Edhe për këto arsye, mendoj se është e pamundur që Amerika të investohet në favor të njërës apo tjetrës palë politike shqiptare, duke shkelur parimet e veta dhe cenuar mbarëvajtjen demokratike të Shqipërisë.

Mirëpo, duke qenë se politika shqiptare aktuale ka humbur legjitimitetin në popull, të gjithë mundohen ta fitojnë atë me anë të vetëdeklarimit të mbështetjes amerikane. Në mënyrë të natyrshme qytetarët shqiptarë pyesin veten cila nga palët që rrahin gjoksin mediatikisht gëzon mbështetjen e Amerikës? Siç u shpreha më sipër, parashtrimi i pyetjes në një formë të tillë është i gabuar. Qartazi, në bazë të parimeve të përgjithshme të sipërcituara, është e thjeshtë të deduktohet se kë nuk mbështesin SHBA-të. Amerika e Xhejms Medisonit nuk mbështet frymën autoritariste të pushtetit, cilido qoftë mbartësi i saj. Amerika e Tomas Xhefersonit nuk mbështet një politikë të kriminalizuar dhe të korruptuar, e cila mendon vetëm për të nginjur urinë e vet materiale, dhe jo për të ndërtuar një shoqëri të lirë, ku të mbizotërojë sipërmarrja e lirë pa praninë e monopoleve me mbështetje politike. Amerika e Abraham Linkolnit nuk mbështet përvetësuesit e pasurisë publike të secilës palë, madje as ata që fshihen pas imuniteteve, postit politik apo vendimeve skandaloze të gjykatave të korruptuara. Në fund, por jo nga rëndësia, Amerika e Xhorxh Uashingtonit nuk mbështet politikanë që kërkojnë me çdo kusht pushtetin personal e familjar duke rrënuar të ardhmen e kombit të tyre, duke cenuar institucionin e votës apo duke nxitur përmbysje të dhunshme të shtetit.

Për rrjedhojë, Amerika nuk mbështet asnjë nga palët politike aktuale në Shqipëri për atë çka ato përfaqësojnë. Për ta thënë shkoqur, Amerika nuk mbështet as Berishën e as Ramën për shkak se ata nuk përfaqësojnë më të mirën që ofron populli shqiptar. Si kombi me vetëdijen më të thellë demokratike në botë, SHBA janë të qartë mbi mangësitë e thella të sistemit politik shqiptar dhe përfaqësuesve të tij të tanishëm, por në respekt të shqiptarëve janë të detyruar të marrin e japin me ta. Ata që mendojnë se me anë të mediave të vjetra e cicërimave të reja mund të manipulojnë, joshin apo tjetërsojnë politikën parimore të SHBA-ve në Shqipëri gënjejnë veten dhe bëhen qesharakë në sytë e publikut. Me gjithë përdorimin tragjik të pushtetit të katërt për të ngulitur në mendjet e njerëzve këtë paradigmë qesharake, nuk mund të mbulohet dielli me shoshë. Siç më thoshte një shqiptaro-amerikan me lidhje të vjetra në kryeqytetin amerikan, politikanët shqiptarë janë bërë qesharakë në Uashington e Bruksel.

Një shprehje popullore shqiptare thotë se “i zoti e nxjerr gomarin nga balta”. Ndaj, publiku shqiptar duhet të ndërgjegjësohet se me gjithë frymën dashamirëse dhe ndihmuese që përçon dhe do të vazhdojë të përçojë Amerika përmes përfaqësuesve të saj zyrtarë, zgjidhja e problemeve shqiptare u përket shqiptarëve. Në qoftë se shqiptarët nuk arrijnë të marrin në dorë fatet e tyre, të ndërtojnë një demokraci funksionale ku të dominojë liria e tregut, të sundojë ligji dhe politika të jetë në shërbim të popullit, dhe jo në shfrytëzim të burimeve materiale të pushtetit, miqësia e Amerikës demokratike dhe liridashëse nuk do të mund të garantojë lirinë dhe zhvillimin demokratik të vendit. Përkundrazi, politika do të vazhdojë të çirret e mashtrojë se gëzon mbështetjen e Amerikës, ndërkohë që i vetmi entitet që e gëzon atë pa kushte është populli shqiptar. Jam i mendimit se Amerika do të mbështeste çdo rrymë a lëvizje gjenuine që synon të përmirësojë demokracinë dhe t’i ndërrojë fytyrën mjedisit politik shqiptar me qartësi ideologjike dhe në shërbim të kombit shqiptar. Arsyeja është e thjeshtë, Amerika është me shqiptarët!