Në datën 1 janar media belge Lecho.be i ka dedikuar një artikull të konsiderueshëm situatës me kanabisin në vendin tonë, të cilin e titullon: Shqipëria, një vend i kanibalizuar nga kanabisi.


Shkrimi nxjerr në pah procesin e shndërrimit të kanabisit në një fenomen shqetësues, pasi nisi të kultivohej në masë në të gjithë territorin.


Duke e konsideruar si një shtyllë të “stabilitetit rajonal”, Shqipëria e Kryeministrit Social Demokrat Edi Rama ka qenë prej kohësh një “nxënës i mirë evropian” në Ballkan. Megjithatë, që nga viti 2014, prodhimi i drogës dhe trafikimi kanë shpërthyer, shkruan media belge.


Autori i shkrimit i kushton vëmendje operacionit të policisë në Lazarat, për të cilin thotë se erdhi si produkt i presionit të ndërkombëtarëve ndaj kryeministrit Edi Rama.


Aty u shkatërrua kryeqyteti evropian i kanabisit me fitime që shkonin në 4.5 miliardë euro, ose sa një e treta e PBB-së së Shqipërisë. Por çuditërisht sipas Lecho.be aksioni në fjalë ishte edhe pikënisja për një kultivim masiv që do të përfshinte të gjithë territorin.


Ky operacion shumë i publikuar kishte pasoja të padëshiruara: prodhimi u përhap shpejt në të gjithë vendin. Sipas të dhënave nga Guardia di Finanza, 753,000 bimë u shkatërruan në vitin 2016, kundrejt 46,000 në vitin 2014 dhe ekspertët pajtohen se shkatërrimi prek një mesatare prej vetëm 10% të zonave të kultivuara. Fshatarët braktisin tokat e tyre masive, duke preferuar të punojnë në këto plantacionet ku marrin 20 euro në ditë, pothuajse trefishin e pagës mesatare.  Në fakt, prodhimi pastaj eksportohet masivisht në Itali dhe, në një masë më të vogël, në Greqi, nënvizohet në shkrim.


Më tej shënohet se historia e kultivimit të kanabisit në Shqipëri është shumë e vjetër dhe brenda saj janë të inkuadruara intriga të dy palëve me më shumë influencë në politikë.


Kultivimi i kanabisit është një histori e vjetër, e cila ka qenë gjithmonë shumë politike, ndërkohë që vendi karakterizohet nga një rivalitet i fuqishëm ndërmjet Partisë Demokratike (PD) dhe Partisë Socialiste (PS). Dy grupet kryesore kanë secilën fusha rajonale të vendosura mirë të ndikimit, thuhet aty.


Media belge i bënë jehonë edhe arrestimit të anëtarëve të klanit të Habilajve në Itali dhe lidhjeve të tyre me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.


Në nëntor, Moisi Habilaj, një kushëri i ish-ministrit të Brendshëm, i akuzuar për drejtimin e një bande te trafikut masiv të armëve dhe drogës është arrestuar ne Sicili. Sipas përgjimeve, Saimir Tahiri, i cili u shkarkua në pranverë, ka pasur marrëdhënie të ngushta me grupin. Shume shpejt  rasti “Habilaj-Tahiri” u bë një skandal politiko – drejtësi dhe kryeministri Edi Rama ishte i dyshuar se ka mbyllur sytë mbi këtë trafik dhe më e keqja ta ketë kontrolluar atë, theksohet në këtë artikull.


Një pjesë e veçantë në shkrim është ndërtuar mbi lidhjet e Tahirit me një biznesmen 25-vjeçar, në makinën e të cilit u gjet mbi 800 mijë euro dhe dy patenta për mjete lundruese të ish-ministrit.


Prokurori i Përgjithshëm i Tiranës bëri thirrje për arrestimin e Saimir Tahirit, për të cilin kolegët e tij socialiste refuzuan të heqin imunitetin e tij parlamentar, pavarësisht nga zbulimi në fillim të nëntorit, i dy patentave detare me emrin e tij dhe 863,000 euro në para të gatshme në bordin e makinës së fëmijës se një kontraktori pranë PS.


Lecho.be shkruan për stoqe të mëdha me drogë në Shqipëri dhe e justifikon heshtjen e ndërkombëtarëve për këtë problem me nevojën për të ruajtur stabilitetin në rajonin e Ballkanit.


Theksi vendoset edhe tek prezenca e shtuar e FBI apo agjencive ligj zbatuese evropiane në vendin tonë pas deklaratës së ambasadorit të SHBA, Donald Lu për peshqit e mëdhenj.


Pavarësisht nga rritja e problemit, qeveritë perëndimore kanë  preferuar të heshtin për të shmangur dobësimin qeverinë se Edi Ramës, pasi shihet si një garantues i “stabilitetit rajonal”, sidomos në çështjen e shqetësimit kryesor të Kosovës në Ballkan për Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.


Artikulli mbyllet duke argumentuar se bandat shqiptare e kanë shtuar aktivitetin e tyre kriminal, duke u orientuar tashmë drejt drogave të forta, si kokaina dhe heroina. Gjithashtu theksohet se mafia shqiptare po kontrollon tregun njëjtë si homologët e tyre italianë nga Sicilia.


3 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)