Pas reportazhit që u bë nga televizioni Ora News, për "Heroinën e popullit", Shote Galica, nuk ka munguar edhe reagimi i mediave kosovare, të cilat ngrenë pretendimin se eshtrat e Shote Galicës, duhet të transferohen në vendlindjen e saj në Radishevë të Mitrovicës, pra në Kosovë. Ndërkohë përmendorja e Shote Galicës aty ku janë edhe eshtrat e saj, ndodhet në qytetin e Fushë Krujës, i lënë në harresë, me pllaka të thyera që nuk identifikojnë asgjë dhe i mbuluar nga mbeturina. Ndërkohë për familjarët është prononcuar vetë nipi i Shote Galicës, Halil Gashi, i cili thotë se, në mënyrë kategorike nuk do ta lejojmë transferimin e eshtrave të Shote Galicës, në Kosovë.

Një pretendim të tillë ai e ngre në faktin se, të gjithë veprimtarinë e saj luftarake Shote Galica e ka kryer në Fushë Krujë dhe i takon këtij qyteti nderimi i kësaj luftëtare, që ia kushtoi jetën e saj bashkimit të trevave shqiptare. Shote Galica para pak ditësh kishte edhe përvjetorin e saj të vdekjes dhe nga institucionet përkatëse nuk u ndërmor asnjë iniciativë për përkujtimin e kësaj figure të rëndësishme për popullin tonë.