Deputeti i PR, Fatmir Mediu, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku eshte diskutuar marreveshja me BE per procedurat e sigurise per shkembimin dhe mbrojtjen e informacionit te klasifikuar.	/r/n/r/nLawmaker Fatmir Mediu, speaks during a parliamentary session.PR pro reformës në drejtësi, të zbatohet rekomandimi 88


Partia Republikane deklaron se është në mbështetje të Reformës në Drejtësi, por kërkon nga Kryeministri Edi Rama të zbatojë rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias. Sipas kreut të PR, Fatmir Mediu, vijat e kuqe nuk i vendos Rama, por i vendos Komisioni i Venecias. Ky komision ka përcaktuar dhe vijat jeshile, duke treguar se cilat janë rrugët e zgjidhjes në rast të mosmarrëveshjeve politike, thuhet në deklaratën e tij, duke numëruar kërkesat që mundësojnë moskapjen e sistemit. Sipas tij, opozita është legjitime në të drejtën e saj, t’i bëjë thirrje Partisë Socialiste të respektojë zgjidhjen e dhënë nga Komisioni i Venecias sipas pikës 88. Mediu shprehet se ajo që kërkon opozita sipas këtij rekomandimi të Venecias, është pranuar edhe nga specialistët e OPDAT dhe Euralius pranë komisionit që në fillim të këtij viti. Nga ana tjetër, kryerepublikani vlerëson se demagogjia politike se, opozita kërkon që të vendosë ndikim politik mbi sistemin, është e pabazë, për faktin se “përzgjedhja nga të gjithë vendimmarrësit politikë, pozitë dhe opozitë, bëhet mbi kritere selektive që në thelb kanë të bëjnë me formimin profesional dhe integritetin e personave që do të zgjidhen, duke përjashtuar çdo person që njihet apo ka informacion për qasje politike”, thuhet në deklaratën e Mediut. Për PR-në, votimi me 2/3 e zhvlerëson Parlamentin, krijon mekanizëm bllokues, rrit konfliktin politik, i heq mbështetjen e nevojshme politike institucioneve të drejtësisë, duke i bërë vendimet e tyre të kontestueshme. Mbi të gjitha shmang thelbin kushtetues të Republikës sonë parlamentare, duke i hequr autoritetin Parlamentit dhe duke e deleguar në institucione që jo vetëm nuk janë përfaqësuese, por dhe shumë të manipulueshme dhe të kontrolluar nga mazhoranca. Ndërsa sa i përket idesë për blerjen e votave, Mediu theksoi se nëse ndodh kjo do të kishte pasoja. Çdo veprim i njëanshëm i mazhorancës në Parlament për të tentuar të bëjë pazare me deputetët e opozitës, jo vetëm është i papranueshëm, por do të ketë konseguenca të rënda politike dhe do të cenonte integrimin europian të Shqipërisë, shtoi Mediu. Ndërsa për takimin mes Lu-së dhe Bashës, Mediu la të kuptohej se po kërkohej një zgjidhje sipas Komisionit të Venecias. Besoj se takimi me ambasadorin amerikan është në të njëjtën frymë me takimet e ambasadorëve të tjerë dhe shpresoj që mazhoranca të reflektojë, jo duke vënë vija të kuqe por një zgjidhje konkrete për çështjen. Për më tepër, kur dhe aktorë të mazhorancës kanë të njëjtin qëndrim me opozitën për reformën në drejtësi. E vetmja palë që nuk bie dakord e që duket se ka tendenca për kontrollin e gjyqësorit është PS, deklaroi Mediu.