Tiranë -Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, theksoi sot gjatë një takimi me simpatizantë në Tiranë, se vota për republikanët do t’i jap një mandat të dytë qeverisë së djathtë. ''Unë jam i bindur se vota për Partinë Republikane do t'i japë një mandat të dytë koalicionit të djathtë, pasi ne kemi një ëndërr të madhe, anëtarësimin në BE dhe do ta realizojmë të gjithë bashkë'', tha z. Mediu në këtë takim, në të cilin prezantoi edhe kandidatët për deputetë të PR-së në këtë zonë, përkatësisht Eneida Xhumari dhe Muharrem Kajolli.
Duke u ndalur tek çështja e pronave, Mediu ka theksuar se Partia Republikane ka qenë partia e vetme, e cila e ka ngritur problemin e pronës që në fillim të viteve ’90. "E kam ngritur këtë problem si një nga çështjet më thelbësore të shoqërisë shqiptare, në radhë të parë se ishte çështja e së drejtës, pasi vazhdojmë të besojmë se ekonomia e Shqipërisë nuk mund të ndërtohet pa ndërtuar një realitet të qëndrueshëm të pronës private", tha z. Mediu.