TIRANË – Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, duke përshëndetur “praninë e jashtëzakonshme të 200 mijë protestuesve” sot në sheshin “Skënderbej”, ka hedhur propozimin që protesta e Tiranës të shpërndahet dhe një e tillë të organizohet në çdo qytet  të Shqipërisë. “Opozita duhet të jetë në krye të qytetarëve”, shkruan Mediu në Fb, duke i sugjeruar kreut të opozitës, Lulzim Basha, ta vijojë atë.

“ Sot folën shqiptaret. Ata folën me pjesëmarjen e jashtëzakonshme, mbi 200 000 qytetarë në shesh”, - shkruan Mediu pas protestës. - Ata folën me zërin e tyre me fjalë. Ata i treguan qeverisë se duhet të dëgjojë zërin e tyre, të mbajë premtimet, të ndalojë dhunën, të respektojë ligjin dhe Kushtetutën, të respektojë liritë dhe të drejtat e tyre, përndryshe ata do bëhen zot të fatit të tyre.”


Po ashtu, Mediu e ka parë me sy kritik, hapjen e bunkerit – muze të kohës së diktaturës, që sipas tij, Kryeministri e ka restauruar për hir të nostalgjisë për Enver Hoxhën dhe Byronë politike. Ndaj,në përfundim, ai propozon: “Kjo që nisëm sot duhet të organizohet në çdo qytet, fshat. Opozita duhet të jetë në krye të qytetarëve.”

(ar.sh/BalkanWeb)