Mëhill Doçi



E prita me kënaqësi kërkesën që m’u bë për të dhënë ca kujtime për Bardhok Bibën. Kam shkruar edhe më parë për këtë hero të kohës së çlirimit e përparmit të Mirditës së re. E megjithatë, e ndiej veten borxhli. Bile, sot, më shumë se më parë, kur bëhen përpjekje nga disa pseudo-historianë apo gazetarë për të shtrembëruar të vërtetën.

Edhe pse kanë kaluar mbi pesë dekada nga ndarja me shokun tim të luftës dhe të punës, mbresat që ka lënë ai në punën e sjelljen vetëm si drejtues, si shok e si njeri, janë të pashlyera tek të gjithë ata që e njohën e punuan më afër tij.

Para çlirimit të atdheut mua më është dhënë rasti ta njoh nga afër vetëm një herë, por emrin e tij e kisha dëgjuar. Në vitin 1940 Bardhok Bina ishte përjashtuar nga gjimnazi i Shkodrës bashkë me disa studentë të tjerë për pjesëmarrje në veprimtaritë e rinisë kundër pushtuesve fashistë italianë. Kjo ngjarje u përcoll në një qarkore të autoriteteve fashiste në të gjitha shkollat për të bërë presion e frikësuar rininë statutore.

Unë isha në shkollën e mesme bujqësore të Kavajës dhe aty një profesor shkodran më tërhoqi në një anë dhe më pyeti nëse njihesha me Bardhok Bibë.

Jo, i thashë unë. Ai më bëri të qartë tërë përmbajtjen e asaj qarkoreje sekrete. Bash nga ajo ditë, unë, me mend dhe dëshirë të zjarrtë, udhëtoja drejt këtij bashkëmoshatari të krahinës time, takimi me të do të vonohej mbi dy vjet.

Rasti e pru që për herë të parë të takoheshim në shtator të vitit 1943, në kushtet kur të dy ishim partizanë në formacione të ndryshme të Ushtrisë Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Unë isha rreshtuar në çetën e tretë të batalionit “Perlat Rexhepi, të krahinës së Postribës, në qarkun e Shkodrës, Bardhoku kishte ardhur nga çeta e Pukës, e drejtuar nga Pashk Curri. (Ky i fundit më vonë u bashkua me forcat e Abaz Kupit, me një pjesë të vogël të çetës së tij. Bardhoku solli 3 mushka të ushtrisë italiane të rrëmbyera me luftë një garnizoni fashist. Aty u njohëm dhe u përshëndetëm përzemërsisht, siç përshëndeten partizanët dhe vëllezërit mirditas. Atë natë pushuam afër xhamisë së fshatit Omaraj. Unë e Bardhoku u mbuluam për të fjetur nën një fletë çadre në një fushë të hapur.

Të nesërmen ai u nis herët për në qendrën e batalionit partizan që ndodhej në fshatin Vorfë. Aty u ngarkua me detyrën e zëvendësintendentit të batalionit. Më vonë u ngarkua me detyra në sektorin politik dhe ka kryer veprime tepër të rëndësishme në zona të ndryshme të Mirditës dhe Shkodrës.



Në fshatin Vorfë jemi pranuar në parti, unë Bardhk Biba, Ndoc Deda dhe Kozma Stefi, i deleguari i Komitetit Qendror të PKSH dhe i qarkut të Shkodrës. Në atë mbledhje ka qenë edhe Vasil Shanto. Nga fillimi i dhjetorit të vitit 1943 Bardhok Biba me një grup partizanësh prej pesë veta, me në krye Qazim Kapisyzin, kalojnë në krahinën e Dukagjinit. Ndërsa në fund të dhjetorit 1943 ai u dërgua me mision në Mirditë, duke pasur me vete dhe katër shokë të tjerë. Kjo qe prova më e vështirë për aftësitë dhe trimërinë e tij.

Mbas çlirimit të atdheut unë u ktheva për të punuar në Mirditë. Kur erdha në Shënpal, aty gjeta shokët e mi; Bardhok Bibën, Mat Dodë Pepën, Ndrecë Ndue Gjokën, Pal Mylyshin etj. Bardhoku ishte komisar Politik i Komandës së vendit dhe sekretar i Këshillit të Frontit Demokratik të rrethit. Unë u ngarkova me punët e pushtetit, - Këshillit Nacionalçlirimtar, - kryetar i së cilit ishte Hajdar Bajraktari.



Bardhok Bibën e njoha i pari si një shok që komunikonte me të tjerët me atë zë sa të bënte shpejt për vete. I përdorte shumë fjalët e urta të kuvendeve të odave të dikurshme. Nuk linte kuvend të popullit pa marrë pjesë. Në mbledhje habiteshin për informacionin që kishte për gjithçka; deri edhe se kush është në hall për bukë. Ai dallohej për nivel të lartë njohurish. Zotëronte edhe dy gjuhë të huaja.

Një deputet që u zgjodh shpejt në Mirditë nuk punoi si duhet, u shkëput nga populli dhe deputet i vërtetë, edhe pse i pavotuar, për mirditorët ishte Bardhoku, ndaj me kërkesën e popullit në shumë fshatra ai u propozua dhe u votua si askush tjetër për të qenë përfaqësuesi i Mirditës në Kuvendin Popullor.

Bardhok Biba ishte iniciatori kryesor për ngritjen e qendrës së Mirditës në Rrëshen. Ai e pa në optikën e perspektivës, ku mund të bëheshin zyrat, shtëpitë e banimit, shkollat, spitali dhe tërë infrastruktura e nevojshme. I kam të freskëta fjalët e tij kur na e shtroi këtë çështje në mbledhje të partisë e të pushtetit. E ç’mund të bëhej në Shënpal? Po të lihej qendra aty nuk kishe hapësirë që të mund të thoshin qytet. Rrëpirat e Shënpalit nuk përbënin as një hektarë tokë po t’i bëje të gjitha bashkë.



Mbasi ra rrethi në Rrëshen, aty nga fillimi i prillit 1949, Bardhok Biba, i preokupuar për të ngritur sa më parë zyrat dhe banesat, iu drejtua Ministrisë së Transportit për të na dhënë disa ditë dy makina. Ministria na i dërgoi; - me ato shkuam në sharrat e Pukës dhe i ngarkuam me frugja e dërrasa. I pari ishte Bardhoku që punonte pa pushim. Na ndihmuan dhe punëtorët dhe drejtuesit e Pukës.

Ndoshta duket gjë pa rëndësi edhe ky shembull që po tregoj. Një grua që gatuante në furrën e bukës afër zyrave, një ditë iu drejtua zyrës së Bardhokut, mëngëpërveshur e duart me brumë. Ai sa e pa, me atë humorin e tij të këndshëm, i tha: “O nanë Dila, paske vendos mos me na dhanë ma bukë, por brumë a?”. Gruas i ra disi inati, ajo kishte ardhur të ankohej se komshiu i linte pulat lëshuar e patën dëmtuar kopshtin. Bardhoku e vlerësoi grindjen midis të dy komshinjve dhe ngarkoi një nëpunës për t’u marrë me këtë ngatërresë. Me këtë dua të them se ai jepte një mësim të madh edhe kur merrej në dukje me gjëra të vogla. “Kjo është detyra jonë si përfaqësues të pushtetit të ri”. Nga ky parim udhëhiqej ai, ndaj zyra e përfaqësuesit të Mirditës gjendej kudo ku ishte Bardhok Biba.

Janë me qindra e mijëra ish-drejtues, ish-nxënës e arsimtarë, të rinj e të reja, zotë e zonja shtëpie, njerëz që kanë hequr mbi kurriz halle, gjer edhe padrejtësi, për veprime të nxituara të shokëve tanë që ruajnë kujtime interesante për Bardhok Bibën. Ai nuk u bë me zë se pse qe në krye të Mirditës. Për mendimin tim Mirdita e vuajtjeve të rënda e lindi atë nga zjarri i shpirtit të padurimit; dhe të lindësh nga shpirti i popullit, ky është një rast i rrallë që sjell gjithmonë njerëz të mëdhenj.



Nuk më hiqet nga mendja skena që kam parë më 8 gusht të vitit 1949 kur e varrosëm Bardhok Bibën; njerëzit kishin ardhur nga të gjitha fshatrat, nga qendrat e punës dhe shkollat. Të pranishëm ishin edhe nga rrethe të tjera të vendit. Një grup i madh erdhi edhe nga udhëheqja e partisë dhe e shtetit. Të panumërt ishin telegramet e ngushëllimit.

Njerëzit nuk i zinte sheshi; plot ishin edhe rrugët e xhadeja poshtë sheshit. Them se përherë të parë në histori, Mirdita e përkuli ballin atë ditë!

Fjalën e përcjelljen e mbajti gjeneral major Gjin Marku. Gjatë atij fjalimi dhe rrugës për në varreza dëgjoheshin qarje me zë dhe ofshama. Më tronditëse u bë dhimbja në çastet e varrimit. Lot burrat, lot gratë, lot fëmijët!

Nderimi i ndarjes me Bardhok Bibën ishte madhështor, megjithatë dhimbja ishte e asaj shkalle sa nuk matet dot me fjalë.

Bardhok Biba na la për mesazh bashkimin për të jetuar si vëllezër, vazhdimin e luftës për dituri e përparim, në ngritjen e Mirditës së re. Është porosia e shkruar me gjak që u takon të gjithë brezave dhe nuk mund të kufizohet nga asnjë moshë e asnjë kohë.



Kjo pjesë është marrë nga libri “Heroi i Mirditës”, me autor Kolë Ndrekën

Autori ka qenë partizan dhe është ndarë nga jeta rreth dy vjet më parë





Në numrin e ardhshëm do të lexoni:



Kolë Ndreka rrëfen për motivet dhe rrethana të vrasjes së Bardhok Bibës ditën e 7 gushtit të vitit 1949



A është e vërtetë se heroi i luftës u ekzekutua nga bandat për motive banale apo për shkaqe politike



Si u spiunua Bardhoku një ditë para se të vritej nga një grua, e cila më pas u arratis bashkë me autorët e krimit



Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës





5 Gusht 2009