Nga Express më 04 gusht 2011 në ora 23:32

Pas incidenteve që ndodhën në pikat kufitare në veri të Kosovës, shumë ishte komentuar jo vetëm në skenën politike kosovare dhe serbe, por edhe mes kosovarëve dhe serbëve nëpër rrjetet sociale.



Ishte një grup kosovarësh i udhëhequr nga Meliza Haradinaj që në Twitter në debate të ashpra me serbët për situatën në veri, kanë arritur të zënë madje vend në vet ‘zemrat’ dhe mendjet e kthjellta të fqinjve tanë veriorë.



Press Online zgjodhi si komentin më të mirë ‘tweet’-in e Melizës e cila shkroi: “Kishim marrë një leksion të vlefshëm nga Napoleoni, atë se dorën e hekurt duhet ta mbështjellim me dorezë të mëndafshit”. Komenti është aludim për atë se situatën në veri kosovarët e morën mjaft qetë dhe nuk ranë pre e provokimeve të serbëve.



Ky koment u cilësua nga gazetari i portalit të njohur serb me nota të larta, teksa shton se Meliza dhe kosovarët e Twitterit e duan vendin e tyre po aq sa ai Serbinë.



Incidentet tashmë kanë mbaruar, por bilanci i të vdekurve dhe futja nën kontroll e pikave kufitare ende është duke u diskutuar nga njohës të sigurisë dhe politikës, si në mediat e shkruara ashtu dhe ato elektronike.