Me golin kundër Vllaznisë, Migen Memelli ka shënuar rrjetën numër 22 në këtë kampionat dhe fiton çmimin "Këpuca e Artë". Sulmuesi i Kombëtares është shpallur golashënuesi më i mirë i Superiores, me 4 gola më shumë se ndjekësi më i afërt, Sebino Plaku. "Ka qenë kampionati i dekadës. Titullin ia dedikoj familjes së madhe të Tiranës. Shpresoj t‘i kem shërbyer skuadrës me 22 golat që kam shënuar. Ka qenë mjaft, mjaft e vështirë të shënoja kaq shumë gjatë këtij sezoni", tha Memelli. "Kemi punuar shumë gjatë këtij viti, kemi djersitur dhe e kemi merituar titullin kampion. Kam besuar gjithmonë te forca dhe kualiteti i kësaj skuadre dhe i këtyre lojtarëve. Diferencat u panë në fushën e lojës edhe në këtë ndeshje finale me Vllazninë. Kombëtarja? Shpresoj të jem përsëri, por nuk di të them nëse do grumbullohem më 6 qershor me Portugalinë, pasi jam i dëmtuar".