"Më shumë se i mërzitur, më ka ardhur keq për lojën që bënë lojtarët tanë". Kështu është shprehur sot për albania-sport Migen Memelli, pas eliminimit befasues të ekipit të tij SK Bran nga ekipi suedez Atvidaberg në Kupën UEFA, ndaj të cilit në ndeshjen e dytë arriti në transfertë vetëm një barazim 1-1, pas atij në shtëpi 3-3, ku tre golat i shënoi shqiptari Migen Memelli, që nuk luajti në takimin deciziv për shkak të dëmtimit.
Por vetëm tre ditë më pas, Bran, arriti një fitore të rëndësishme 2-1 në "Brann Stadion\", edhe pse luajti me Molde të vendit të fundit, duke ruajtur diferencën prej një pikësh me vendin e dytë Lilestrom (34-33).
Ishin thirrjet e tifozëve ato që ndikuan në futjen e Memellit në lojë në minutën e 65-të takimit, kur dhe rezultati ishte 1-1. "U ndjeva shumë mirë dhe nuk pata asnjë shqetësim gjatë 25 minutave të aktivizimit, - u shpreh Memelli, - por më duhet të punoj akoma nga ana fizike. Por do ta marr veten pasi ndeshja e radhës është pas dy javësh. Ajo që më kënaqi më tepër ishte dhe asisti i golit të fitores, i shënuar nga Saternes. Ishim të dy vetëm për vetëm me portierin e Molde , por preferova të pasoja te Bengt Saternes, që ta shënonte ai golin", - shton sulmuesi shqiptar, që ka shënuar 8 gola në 21 ndeshje me SK Bran, 4 prej të cilëve në Europë.
Memelli, si të gjithë futbollistët shqiptarë jashtë atdheut, është i interesuar për Kombëtaren dhe ecurinë e saj. "Më morri Dallku në telefon nga Viena dhe më tha se po shkonte në Hamburg, ku është edhe grumbullimi i kombëtares. Ndërkohë, ishte optimist për ndeshjen kundër Bjellorusisë", - pohoi Memelli, që ka luajtur me mbrojtësin e Vorskla Poltavës të kampionatin ukrainas, kur kosovari aktivizohej me Migenin te Elbasani.
Dash Frasheri