Dash Frashëri - Migen Memelli, sulmuesi i njohur i Tiranës dhe golashënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar për sezonin e kaluar, ndodhet i 22-ti në botë, në listën e “topçinjve” më të mirë të botës për vitin 2009, përkrah emrave më të shquar si Samuel Eto’o (e përfundoi sezoni si lojtar i Barcelonës), Zlatan Ibramoviçit (si lojtar i Interit), David Vijës (Valencia) apo Lionel Mesi (Barcelona). Lista është hartuar nga Instituti i Statistikave dhe Historisë në Futboll, IFFHS, një nga më prestigjiozët në botë dhe që përfshiu në këtë “garë” golashënuesit më të mirë të 42 kampionateve të kategorisë maksimale nga Shqipëria, Italia, Franca, Gjermania, Argjentina, Spanja, Meksika, Serbia, Uruguai, Polonia, Australia, etj.



 MEMELLI

I konsideruar nga presidenti i Tiranës, Refik Halili, si një nga blerjet më të bujshme të tij gjatë merkatos së sezonit të kaluar, ish-sulmuesi i Bran Bergenit (Norvegji) dhe Gais (Suedi), Migen Memelli e justifikoi plotësisht veten, duke ndihmuar bardheblutë të fitonin titullin e 24-t kampion dhe një vend në finalen e Kupës së Shqipërisë, të fituar më pas nga Flamurtari i Vlorës. 29-vjeçari shënoi 22 gola gjatë 29 ndeshjeve në të cilat ai u aktivizua në kampionat, teksa u shpall dhe golashënuesi më i mire i kampionatit, duke fituar edhe “Këpucën e artë”. Edhe në Kupën e Shqipërisë, pogradecari është lojtari që shënoi më shumë: 8 gola. Memelli renditet i 22-ti në botë për nga golat e shënuar. I pyetur nga Albania-sport.com, Memelli (i befasuar jo pak) në linjë telefonike tha: “Është një surprizë e bukur të jem në një listë të tillë, midis emrave më të mëdhenj të botës si Zlatan Ibrahimoviç dhe Lionel Mesi. Gjithsesi, duhet të bëj edhe modestin, pasi dihet forca e kampionatit tonë”.



 LISTA

Golashënuesi më i mirë në kampionatet futbollistike për sezonin 2008-2009 është austriaku Mark Janko i Salzburgut, i cili shënoi 39 gola në 34 ndeshje të kampionatit austriak, Bundesliga . Pas tij vjen Diego Forlan i Atletikos së Madriditt, 32 gola në 39 ndeshje të Primera Division në Spanjë. Në podiumin e tre më të mirëve është edhe blerja e re e Interit, kamerunasi Samuel Eto’o, por që e mbylli sezonin e kaluar me kampionen e Spanjës dhe Europës, Samuel Eto’o: 30 gola në 26 ndeshje. Blerja e tretë më e shtrenjtë bë botë, suedezi Zlatan Ibrahimoviç, golashënuesi më i mirë i Serisë A italiane me fanellën e Interit, u ndal në kuotën 25 gola në 35 ndeshje. Nga ana tjetër, Lionel Mesi, kandidati kryesor për fitimin e “Topit të artë 2009” shënoi me fanellën e Barcelonës, 23 gola në 31 ndeshje, duke u renditur në vendin e 17-të.



 

Golashënuesit më të mirë në botë për vitin 2009

LISTA E IFFHS-së



V    Lojtari         Ekipi           Shteti     Nd.  Gola



1.   Marc Janko     Salzburg        Austri     34   39

2.   Diego Forlan    Atletiko Madrid Uruguai    33   32

3.   Samuel Eto‘o    Barcelona       Kamerun    36   30

4.   Grafite         Volfsburg       Brazil     25   28

5.   David Vija      Valencia        Spanjë     33   28

6.   Hoze Sand       Lanus           Argjentinë 37   28

7.   Ervin Hofer     Rapid V.        Austri     34   27

8.   Kris Bojd       Glasgou         Skoci      35   27

9.   Edin Xheko      Volfsburg       Bosnjë     32   26

10.  Hektor Mansija Toluca          Kili       33   25

11.  Zlatan Ibrahimoviç   Inter      Suedi      35   25

...

17.  Lionel Mesi     Barcelona       Argjentinë 31   23

22.  Migen Memelli   Tirana          Shqipëri   29   22


E Marte, 04 Gusht 2009