Me dhjetë pikë në katër ndeshje (vetëm një barazim) Tirana dha një sinjal të fortë se është ajo skuadra favorite për fitimin e Kampionatit të 70-të Kombëtar. 23-herë kampionët sezonin e kaluar përjetuan një nga edicionet më të vështira, duke mos u futur në zonën europiane, e për më tepër u renditën në vendin e gjashtë.
Bardheblutë një sezon më parë panë në stolin e tyre tre trajnerë (Starova, Hafizi, Mema), ndërkohë që këtë vit me kroatin Blazh Slishkovic, duket se po përjetojnë një moment të shkëlqyer. Përgatitorja e fortë fizike (dy minifaza në Maqedoni) dhe grupi i lojtarëve të ardhur, ku spikasin të ardhurit nga kampionatet nordike: sulmuesi Migen Memelli (Gais, Suedi) e mesfushori Ansi Agolli (Vaas, Finlandë) kanë dhënë kontributin e tyre.
Ish-sulmuesi i Bran Bergenit në Norvegji, Migen Memelli, me dy golat e tij të deritanishëm rezultoi deciziv në dy nga tre fitoret e Tiranës, ku spikat më tepër goli i shënuar kundër Teutës në fitoren e ngushtë 1-0 në fushën asnjanjëse "Tofik Jashari". Memelli, i cili shënoi edhe golin e dytë në fitoren 2-0 kundër Apolonisë, vlerësohet për kondicionin e tij fizik dhe për lojën e bukur taktike në vijën e parë në bashkëpunim edhe me sulmuesin e avancuar Daniel Xhafaj (1 gol).
"Tirana ka si objektiv fitimin e titullit kampion, pa harruar kurrsesi edhe Kupën e e Shqipërisë", - tha për "Albania-sport.com\" sulmuesi pogradecar. "Për mua personalisht këto do të ishin edhe dy trofetë në futbollin shqiptar, por ajo që ka rëndësi është objektivi që ka skuadra", - theksoi futbollisti, i cili më parë ka luajtur edhe me Skënderbeun, Elbasanin, Teutën e Lacin.
Gjithsesi, blerja e bujshme e Tiranës gjatë merkatos verore, shpreh edhe dëshirën për të qenë edhe golashënuesi më i mirë i kampionatit. "Fitimi i ‘Këpucës së artë' është një objektiv tërheqës, për më tepër që ka qenë një emër i madh si Vioresin Sinani ai që ka fituar i fundit atë", - shton Migen Memelli.
Nga pesë golat që ka realizuar Tirana në katër javët e parë të këtij sezoni, 2 mbajnë firmën e Memellit e po kaq të mbrojtësit të Kombëtares, kavajasit Andi Lila, edhe ky i ardhur gjatë këtij sezoni te klubi shqiptar me më shumë trofe: 23 kampionate, 13 Kupë të Shqipërisë e 7 Superkupa.
Ndeshjet e Tiranës
Java 1: Vllaznia-Tirana 0-0
Java 2:Teuta–Tirana 0-1
Java 3:Tirana-Partizani 2-1
Java 4: Apolonia-Tirana 0-2
Bilanci: 4 ndeshje; 3 fitore, 1 barazim, 0 fitore. Golat: 1-5
Golashënuesit e Tiranës
2 gola: Migen Memelli, Andi Lila
1 gol: Daniel Xhafaj