Nga Dash Frashëri

ASA (Albanian Sport Agency) - Klub i ri, kontratë joshëse dhe gol qysh në prezantimin e parë. Ky është Migen Memelli, që tashmë nuk bën më pjesë e SK Bran Bergen por e Gais.
320.000 euro : kaq kushtoi transferta e sulmuesit Migen Memelli nga norvegjezët Bran Bergen te suedezët e Gais.
"Nënshkrova një kontratë 3-vjecare me terma të shkëlqyera ekonomike. Klubi suedez, Gais, pagoi te ish-klubi im Bran, 320 mijë euro", thotë ekskluzivisht për Albania-sport.com, në linjë telefonike sulmuesi korcar nga Norvegjia.
Ish-sulmuesi i Elbasanit, Teutës dhe Skënderbeut, Memelli e nënshkroi zyrtarisht kontratën e re, më 28 mars 2007, por vetëm një ditë më parë, më 27 mars, sulmuesi i thirrur nga Oto Baric për miqësoren Shqipëri-Maqedoni (0-1) shënoi dhe gol në ndeshjen miqësore të zhvilluar në transfertë midis Gais dhe kampionëve të Suedisë, IF Elsborg, takim që përfundoi 2-2.
"Luajta shumë mirë, por dhe fati e deshi që të shënoja qysh në prezantimin e parë me fanellën e jeshilezi të Gais", shton Memelli, që realizoi golin e barazimit 1-1 në minutën e 61, vetëm dy minuta pas golit të parë të shënuar nga IF Elsborg (59'). Goli i Memellit erdhi pas një asisti të Pomenov. Gais kaloi në avantazh në minutën e 63 me anë të Andreas Tobiason, por skuadra kampione e Suedisë, barazoi në minutën e 89 në 2-2.
"Gais është ekip i qytetit të Goteborgut dhe është një ekip i cili sezonin e kaluar e përfundoi në vendin e dhjetë, por në Suedi konsiderohet si ekip me të ardhme, për më tepër që me këtë ekip do të luaj si sulmues i parë. Klubi ka projekte të mëdha, përshirë edhe të një stadiumi të ri", shton 26-vjecari Memelli (186 cm, 80 kg) që ishte sulmuesi i vetëm në takimin me IF Elfsborg, në skemën 4-5-1.
"Do të nisem nesër në Suedi, ku do të jetoj në tri vitet e ardhshme. Klubi më ka plotësuar të gjitha kërkesat që ka nevojë një futbollist profesionist".
Ndeshja e parë sezonale e Gais është ajo kundër Hacken (më 2 prill), i cili e mbylli sezonin e kaluar në vendin e 12 nga 14 ekipe që ka kampionati suedez.
Klubi suedez është themeluar më 11 mars 1894 dhe ndeshjet i luan në stadiumin "Ullevi".

Skeda e ndeshjes IF Elfsborg-Gais
1-0 (59) IF Elfsborg
1-1 (61) Migen Memelli
1-2 (63) Andreas Tobiasson
2-2 (89) IF Elfsborg
(Në foto Migen Memelli gjatë ndeshjes IF Elfsborg-Gais 2-2, të zhvilluar më 27 mars 2007. Memelli shenoi golin e barazimit 1-1)