Sulmuesi bardheblu Migen Memelli nuk ka humbur kohë, por është vënë në kërkim të skuadrës së re. Pas ofertave të shumta nga disa klube të huaja, sot lojtari do të jetë në provë në kampionatin rus, me shumë gjasë te Spartak Nalçik. Burime nga skuadra kampione që ndodhet në Turqi shprehen se, futbollisti do të udhëtojë sot drejt Rusisë për t’u testuar dhe gjasat që ai të qëndrojë në kampionatin rus janë të mëdha. Madje sipas informatave tona, Memelli që mbrëmë nuk është parë në ambientin bardheblu në “Limrak Limra” të Kemerit, çka vërteton krejtësisht pistën e udhëtimit të tij drejt Rusisë. Gjithçka ka ndodhur shumë shpejt dhe një lëvizje e tillë e Memellit duket të jetë ndikuar edhe nga afrimi i Sebino Plakut te Tirana, gjë që edhe ishte parashikuar. Në të vërtetë vetë bomberi i dha shenjat e largimit ditë më parë në një dalje për mediat, duke thënë se ishte në tratativa me disa skuadra dhe se gjasat ishin të mëdha që ai të luante jashtë Shqipërisë për pjesën tjetër të sezonit. U publikuan në media disa pista për lojtarin si Kina, Izraeli apo ndonjë tjetër dhe së fundi Memelli arrin të konkretizojë hapat e tij në kërkim të një skuadre të huaj, duke shkuar në provë në kampionatin rus, ku synon të nënshkruajë një kontratë me klubin e Spartak Nalçik.