Sulmuesi

Migen Memelli është transferuar zyrtarisht te skuadra e Flamurtarit. Pasi nuk ka arritur të bindë drejtuesit e rusëve të Spartak Nalçik, ish-sulmuesi i Tiranës ka gjetur akordin me presidentin e klubit vlonjat, Shpëtim Gjika. 29-vjeçari ka firmosur kontratë për një vit me kuqezinjtë dhe shihet si një përforcim mjaft i rëndësishëm për skuadrën e drejtuar nga Gugash Magani. Memelli është golashënuesi më i mirë i Kategorisë Superiore gjatë sezonit të kaluar, kur me 22 rrjetat e tij ai ndihmoi Tiranën të fitonte titullin e 24-t kampion. Edicioni aktual është karakterizuar nga një dëmtim i rëndë i pogradecarit, që më së shumti ka qëndruar jashtë fushave të lojës. Në nëntë ndeshje (nga 18 javë të kampionatit), Memelli ka shënuar vetëm një gol. Debutimi i sulmuesit me Flamurtarin do të bëhet gjatë fundjavës në Peqin, në sfidën kundër Shkumbinit.






#