Mentor Zhubi është një yll futbolli në Suedi i cili disa herë ka refuzuar kombëtaren suedeze, vetëm e vetëm për të mbrojtur ngjyrat kuq e zi të kombëtares shqiptare. Ai pretendon dhe kërkon një ftesë zyrtare nga trajneri i ri i kombëtares Ari Han dhe Federata Shqiptare e Futbollit(FSHF).


Mentori (23 vjeç) është një nga mesfushorët standart i klubit suedez O.I.S Orgyte të Geteborgut që garon në Ligën e Parë të Futbollit në Suedi. Ai thotë se është ftuar nga kombëtarja shqiptare në vitin 2005 në kohën e trajnerit Hans Peter Briegel, mirëpo ai duke mos parë veten në formacionet e para, i zhgënjyer kthehet në Suedi.


Mentori, një lojtar i spikatur që refuzoi ftesat e klubeve të njohura turke, gjermane, ruse, angleze, sërish pretendon aktivizimin në kombëtare për eliminatoret e botërorit, sidomos kur dihet se në grup është edhe Suedia.


“Kontributi im në kuadër të kombëtares shqiptare do të jetë i madh sepse unë njof lojën dhe strategjinë e futbollit dhe kombëtares së Suedisë. Kombëtarja shqiptare e ka rastin që të njihet me lojën dhe performancën profesionale që e ofrojë. Pres ftesë nga trajneri i respektuar Ari Han, kombëtarja shqiptare dhe Federata e Futbollit, sepse jam i bindur se është rasti adekuat që unë mund të kontriboj për kombëtaren shqiptare”, thotë Mentori, i cili njihet si mesfushori më i mirë në Ligën e Parë suedeze dhe që i ka ngelur besnik klubit të tij O.I.S, me të cilin ka treguar rezultate të suksesshme në kupën e UEFA-s, Intertoto dhe në kuadër të kupave suedeze.


Ai thotë se synimet e tij për të mbrojtur ngjyrat kuq e zi të kombëtares shqiptare ka refuzuar ftesat zyrtare për të qenë pjesë e kombëtares suedeze, duke filluar nga grupmoshat e reja.


Interesim për Mentor Zhubin ka pasur dhe ka nga klubet turke Fenerbahçe, Antalia, Istambulspor dhe Trabzonspor, por ai nuk ka dëshiruar që të luaj në kampionatin turk, edhe pse gati ka qenë finalizimi i kontratës me Fenerbahçen. Mentori thotë se ka refuzuar një mega ofertë nga disa klube të Emirateve të Bashkuara Arabe, klubet gjermane dhe ruse.


Në vitin 2005 ai refuzon që të shkojë në radhët e klubit grek AEK Athens dhe në vitin 2006 në radhët e klubit anglez Charlton.


Arsyet e moslargimit të tij nga klubi O.I.S ka qenë kontrata e mirë me klubin amë dhe premtimin e dhënë ndaj pronarëve të klubit se do të jetë pjesë e synimeve të klubit për tu rikthyer në ligën e parë dhe pas kësaj ai të shoh karrierën e tij në klubet e tjera brenda dhe jashtë Suedisë. Ai preferon kampionatin anglez, të Francës dhe Holandës.


Mentori me futbollin nga mosha gjashtëvjeçare


Mentor Zhubi është i lindur me 1 maj 1985 në Geteborg të Suedisë, me origjinë nga Prishtina. Hapat e parë në futboll i ka pasur qysh në moshën e tij gjashtë vjeçare duke u aktivizuar fillimisht në ekipin Sibrega Tjorn të Suedisë, një klub i njohur vendor në ujdhesën me të njejtin emër.


Pas kësaj ai tregohet si talent i jashtëzakonshëm, duke zgjuar interesin e shumë klubeve suedeze dhe të huaja, si dhe të Federatës të Futbollit të Suedisë. Ai në moshën 14-vjeçare kalon në radhët e klubit të futbollit OIS Orgryte të Geteborgut, që garon në ligën e dytë suedeze Division I, por i njohur tradicionalisht një klub i ligës së parë dhe që sërish në sezonin e ardhshëm do të ngjitet në ligën e parë.


Kampionatet suedeze të të rinjve e njohin si golashënuesin më të spikatur me rreth 50 gola në sezon. Futbollisti Mentor Zhubi më pas e mbaron edhe akademinë katërvjeçare të futbollit suedez në Geteborg. Ai duke shfaqur talentin e tij fiton si kandidat më i mirë për të ndjekur një akademi futbolli në Rio de Zhaniero në Brazil.


Ka qenë pjesëmarrës në disa turne ndërkombëtare të futbollit që janë zhvilluar në shtetet perendimore, me ç’rast zgjon interesin e disa klubeve të njohura holandeze të ligës së parë, ndër to PSV Eidhoven, mirëpo ai pasur obligime ndaj klubit amë, nga a i cili përfitoi shumë në karrierën e fillimit të futbollit profesionist, Mentor Zhubi nuk kalon në kampionatin holandez.


Është i pari shqiptar që ka luajtur në kampionatin suedez të futbollit, pasi që siç thonë, klubet suedeze shumë pak preferojnë të huajt. Pas Brazilit kthehet në klubin amë dhe aty vazhdon të luaj në radhët e këtij klubi deri më sot. Mentori me klubin e tij gjatë periudhës së viteve 2002, 2003, 2004 garon në kupën e UEFA-s dhe në kupën Intertoto, ku është dëshmuar me lojën e mirë dhe shënimin e golave.


Duke parë vlerat e futbollistit të mirëfilltë, ai ftohet mysafirë i klubit Tirana, ku shfaq përvojën e tij të arritur në kampionatin suedez dhe nëpër akademitë e ndryshme. Në vitin 2005 ai kërkohet nga klubi skocez, për gjashtë muaj, ndërsa pas kësaj për gjashtë muaj në Island, duke mos u përshtatur në lojën e këtyre klubeve. Pas një qëndrimi të shkurtër ai kërkohet sërish nga klubi i tij amë OIS, me synimet që të rikthehet në ligën e parë suedeze.


Ai sërish preferohet që të angazhohet në kombëtaren suedeze. “Çka na duhet Ibrahimoviç, kur kemi një Mentor Zhubi”, thuhet në sajtin e fansave të klubit suedez.


Suksesit të Mentorit është edhe vëllau i tij, Petrit Zhubi, 19 vjeçar, i cili gjithashtu është një talent i shquar i futbollit që luan në klubin Odevold, i cili garon gjithashtu në Divizion I të Suedisë dhe që njihet si një Kristian Ronaldo në radhët e klubit të tij.