Pas Irakut, Afganistanit, Libisë dhe fushëbetejave të tjera të ngjashme, mercenarët ballkanikë tani po luftojnë edhe në Siri.

Sipas gazetës kroate ‘Slobodna Dalmacija’, mercenarët nuk po zgjedhin anë, sepse disa po luftojnë edhe për forcat e regjimit e disa për kryengritësit – ndonëse më shpesh për këta të fundit, ngase kanë donatorë të pasur. Gjenerali kroat, Marinko Kresic, i tha gazetës se mes tyre ka edhe mercenarë kroatë, të cilët përveç në Siri po luftojnë edhe në disa vende të tjera të Afrikës dhe Azisë. Sipas Kresic, vlerësohet se vetëm në Siri aktualisht ndodhen mes 80 dhe 100 mercenarë kroatë, me moshë ndërmjet 40 e 60 vjeç.

Gjenerali kroat pohon se mercenarët kroatë në Siri shkuan për të fituar para, dhe se atje disa punojnë si truproja, disa si trajnues ushtarak, e disa si vrasës.

“Rrallëherë ndodh që të vriten ose plagosen, sepse janë të stërvitur shumë mirë. Shumë më shpesh ndodh që ata të vrasin dikë. Në fushëbeteja shkojnë sepse s’ka kush ua paguan kreditë, librat dhe shkollimin e fëmijëve... Kjo, me gjasë, ishte zgjidhja e vetme për ta”, tha Kresic për ‘Slobodna Dalmacija’, derisa sqaroi se ai as nuk i përkrah e as nuk është kundër veprimeve të tilla.

Megjithatë, numri më i madh i mercenarëve ballkanikë janë nga Serbia, sepse atje ende nuk është e rregulluar çështja e veteranëve të luftës.

Pagesa e mercenarëve në Siri sillet rreth 2,000 dollarë, në ditë.