Nga Ramazan SHERJA
Sot po aplikohen shumë konkurset si forma të përzgjedhjes së kandidatëve për vende të reja  pune, apo vende vakante në administratë dhe në sektorin privat. Shpallen bukur e me gërma të mëdha këto konkurse në shtyp, madje në gazeta që ka përhapje të gjerë, për të krijuar përshtypjen se me të vërtetë drejtuesit i han meraku për të përzgjedhur njeriun më të mirë e më të aftë. Mirëpo kur fillon e mbaron aplikimi në këto konkurse, kupton se gjithçka ka qenë vetëm fasadë demokratike e reklamë meritokracie. Në fund merret në punë ai që ka  mikun më të fortë, ka xhepin më të madh ose për të cilin ka porosi nga lart.

Çdo fillim gushti Drejtoritë Arsimore Rajonale organizojnë konkurse për të plotësuar vendet vakante me mësuesit të përzgjedhur. Mbushen me afishe fasadat e drejtorive duke specifikuar edhe lëndën ku duhet mësuesi si  dhe kriteret përkatëse që duhet të plotësojë kandidati. Paraqiten në këto konkurse vërtet mësues të përgatitur, me përvojë pedagogjike, se më në fund edhe meritat e tyre do të vlerësohen si dhe mësues që vetëm emrin kanë të tillë. Por shpejt vjen zhgënjimi. Punën si mësues në shkollat e qytetit e fillon ai që ka paratë në dorë, ose ai për të cilin ka dhënë porosi deputeti apo ndonjë tjetër nga lart. Nga 14 vende pune për të cilin shpalli konkursin DAR e Tiranës vitin e kaluar, edhe pse u reklamua sikur konkursi u zhvillua gjoja me korrektesë profesionale, vetëm dy mësues fitues filluan punë. Dhe këto jo në sajë të meritave që përcaktoi konkursi, por sepse patën mikun më të fuqishëm. Mësues pa arsim përkatës mbushën këto vende vakante, kurse të tjerë profesionistë të vërtete me përvojë e begraund të pasur pedagogjik , mbetën pa punë, ose iu tregua periferia. Nganjëherë për të qenë në rregull me udhëzimet dhe rregullat për konkurset, jepen porositë nga lart. Botohet njoftimi në gazetë, futen formalisht në këto konkurse punonjës të administratës, që janë punësuar jashtë rregullave, e bashkë me to edhe disa të tjerë për garniturë. Dhe komisioni këto pa shqyrtuar asnjë lloj dokumentacioni i shpall fitues. Një njësi bashkiake shpalli konkurs për tre vende pune. Vërshuan e paraqiten dokumente mjaft kandidatë që plotësonin të gjithë kriteret e mund të bëhej një përzgjedhje cilësore. Por ua preu rrugën drejtuesi i komisionit të konkursit: Ne e kemi hapur konkursin formalisht për të zbatuar rregullat, por të tre vendet e punës janë zënë, se i kemi brenda administratës punonjësit. Ka edhe një praktikë tjetër. Organizoi Ministria e Drejtësisë një konkurs për të plotësuar një vend vakant në drejtorinë e burimeve njerëzore. U paraqitën 7 kandidaturat që plotësonin kriteret. U zhvillua dhe konkursi, dhe u përzgjodhën tre kandidaturat më të mira. Por në fund, nga tre të mirët, punë filloi i treti sipas preferencës së titullarit, se qenka e drejta e tij ligjore që të zgjedhë njërën nga tre kandidaturat!!. Po a nuk e bëri komisioni përzgjedhjen dhe këtë atribut e ka vetëm i pari, ai që fitoi konkursin. Nëse flasim për meritokraci, kandidatura e parë është më e mira, atëherë me çtë drejtë merret në punë kandidatura e tretë? Përse u dashka të bëjë titullari përzgjedhjen e përzgjedhjes? Kështu e ka udhëzimi për konkurset të thonë. A nuk është ky udhëzim absurd? E çfarë konkursi është ky, kur njeri shpallet i pari dhe vendin e punës e zë i treti. Kësaj i thonë hajde të shtimë një herë ngadalë, por ama krisma dëgjohet