Gjashtëmbëdhjetë lojtarë të Kombëtares shqiptare të futbollit ripërtëritën kontratat me klubet e tyre, shtatë nënshkruan për klube të reja dhe katër të tjerë janë ende në vorbullën e merkatos verore, në kërkim të destinacioneve të reja në krahasim me sezonin 2006-2007.
Portierët
Një lojtar i rikonfirmuar, një i dytë me ekip të ri dhe i treti në kërkim të një skuadre të madhe. Nëse Isli Hidi, portieri i dytë i Kombëtares, rikonfirmoi veten për të katërtin sezon te kampionia e Shqipërisë, Tirana, opsioni numër një i kuqezinjve, kosovari Arjan Beqaj, i cili për dy sezone me radhë mbrojti ngjyrat qipriote të Anorthosis Famagustës, është në kërkim të një ekipi të ri. Beqaj luajti dje në Kupën UEFA kundër Vardarit të Shkupit. Lajmet më të fundit e shohin atë pranë Olimpikut të Marsejës, ku rekomandimi i fortë i Lorik Canës, zëvendëskapitenit të klubit më të njohur francez, ishte thelbësor. Alternativa e tretë e Kombëtares, Ilion Lika, i thirrur rregullisht nga ish-trajneri i Kombëtares shqiptare gjermani Hans Peter Brigel dhe i braktisur së fundi nga kroati Oto Baric (ndikoi edhe përjashtimi i Likës nga klubi i Dinamos) nënshkroi para dy ditësh një kontratë 1-vjecare me Elbasanin, kampionin e sezonit 2005-2006.
Mbrojtësit
Armend Dallku e Debatik Curri edhe për sezonin që porsa filloi në Ukrainë janë pjesë e titullarëve të Vorskla Poltavës, ashtu si Elvin Beqiri vazhdon të jetë pjesë e Metalurgut në kampionatin ukrainas. Me përjashtim të Endri Vrapit, i cili u transferua nga nënkampionia e Shqipërisë Teuta te kampionia Tirana, asnjë lëvizje nuk pati nga mbrojtësit e thirrur nga Baric në ndeshjet kundër Sllovenisë, Bullgarisë, Anglisë B dhe Luksemburgut. Kristi Vangjeli do të kontribuojë për Arisin dhe veterani Altin Haxhi për Ergotelisin. Erion Xhafa, një tjetër kontigjent i Kombëtares, u transferua nga Dinamo te Tirana, ndërkohë që lëvizja në kahun e kundërt i përket Arian Pishës nga Tirana që kontribuoi për dy sezone te dashuria e tij e vjetër, Dinamo.
Mesfushorët
Lorik Cana firmosi deri në vitin 2010 me Marsejën në Francë, Ervin Skela është shndërruar në titullar të padiskutueshëm te Energi Kotbus në Gjermani, Altin Lala u rizgjodh kapiten me Hanover 96 dhe Edvin Murati e ripërtëriti edhe për një vit kontratën me Panserraikosin e Kategorisë së Dytë greke. Edhe nga lojtarët e kampionatit shqiptar ka pasur pak "bujë" transferimesh. Kapiteni i Tiranës, Devi Mukaj, edhe për sezonin e ri nuk mund të jetë vecse bardheblu, ndërkohë që Klodian Duro, mesfushori tjetër i Tiranës, është në tratativa me klubin grek të Verias. Dy lëvizjet e "kolonisë" së mesfushorëve i përkasin Ervin Bulkut dhe Julian Ahmatajt. Ish-shkatërruesi i Tiranës, Bulku, firmosi një kontratë dyvjecare me Kribvasin ukrainas ku militojnë edhe ish-lojtarët e Partizanit dhe të Kombëtares (në kohën e Brigelit), Dorian Bylykbashi dhe Henri Ndreka. Lëvizja e Ahmatajt është më e thjeshtë. Elbasanasi i Dinamos është rikthyer pas një sezoni të dështuar me blutë te Dinamo.
Sulmuesit
Nëse Edmond Kapllani, ashtu si Cana, ripërtëriti kontratën deri në vitin 2010 me Karlsruhen e porsangjitur në Bundesliga 1, Alban Bushi, golashënuesi më i mirë historik i kuqezinjve (14 gola), nënshkroi edhe për tre sezone me Apollon Kallamarjanë, ekipin selanikas të Superligës greke. Hamdi Salihi mbetet edhe për këtë sezon titullar te nënkampionët e Austrisë, SV Ried. Vija sulmuese është në vazhdën e disa zhvillimeve. Transferta e bujshme i përket Besart Berishës. Kosovari, i cili doli jashtë planeve të skuadrës së parë të Hamburgut, nënshkroi për anglezët e Bërnlit, skuadër që merr pjesë në Championship (Kategoria e Dytë angleze). Në kërkim të një skuadre të re janë Erion Bogdani, i cili pas rënies së Kievos në Serinë B është i lidhur me disa destinacione njëherësh: Udineze, Kaljari, Rexhina, Napoli, Palermo. Një tjetër lojtar i pasistemuar akoma është edhe Daniel Xhafaj. Vlonjati u testua pa sukses te Rapidi i Vienës dhe mbetet në tratativa të dyshimta te rusët e Amkar.

Lojtarët e Kombëtares

Të rikonfirmuar
Lorik Cana, Olimpik i Marsejës (Francë)
Ervin Skela, Energi Kotbus (Gjermani)
Edvin Murati, Panserraikos (Greqi)
Altin Lala, Hanover 96 (Gjermani)
Devis Mukaj, Tirana (Shqipëri)
Isli Hidi, Tirana (Shqipëri)
Armend Dallku, Vorskla Poltava (Ukrainë)
Nevil Dede, Tirana (Shqipëri)
Debatik Curri, Vorskla Poltava (Ukrainë)
Blerim Rrustemaj, Borusia Mënshengladbah II (Gjermani)
Kristi Vangjeli, Aris (Greqi)
Altin Haxhi, Ergotelis (Greqi)
Elvin Beqiri, Metalurg Donteskt (Urkainë)
Edmond Kapllani, Karlsruhe (Gjermani)
Alban Bushi, Apollon Kallamarja (Greqi)
Hamdi Salihi, SV Ried (Austri)

Klube të reja
Besart Berisha, Bërnli (Angli)
Ervin Bulku, Vorskla Poltava (Ukrainë)
Ilion Lika, Elbasani (Shqipëri)
Arian Pisha, Dinamo (Shqipëri)
Endri Vrapi, Tirana (Shqipëri)
Erion Xhafa, Tirana (Shqipëri)
Julian Ahmataj, Elbasani (Shqipëri)

Në kërkim
Arian Beqaj, Olimpik i Marsejës? (Francë)
Klodian Duro, Veria? (Greqi)
Erion Bogdani, Kievo? (Itali)
Daniel Xhafaj, Amkar? (Rusi)