GJERMANI-Pas njohjes së Palestinës nga qeveria zvicerane, nga parlamenti britanik, ai irlandez dhe spanjoll si edhe pas një hapjeje të kujdesshme nga ana e Italisë, nga Gjermania vjen një ”jo” e thatë për njohjen e njëanshme të shtetit palestinez.
Është vetë kancelarja gjermane, Angela Merkel që heq dyshimet duke e kritikuar madje edhe si një gjest politik joproduktiv njohjen e shtetit palestinez nga vendet e tjera.
Një gjykim i pritur me mjaft interes edhe për shkak të arsyeve historike dhe ndjeshmërisë politike të Izraelit.
”Një njohje e njëanshme nuk na çon në rrugën e njohjes së dy shteteve”, deklaroi kancelarja gjermane në Berlin duke iu përgjigjur një pyetjeje gjatë një konference shtypi që pasoi takimin e saj me kryeministrin belg, Charles Michel.
”Qeveria gjermane është e impenjuar prej kohësh për zgjidhjen e dy shteteve. Jemi qartësisht të bindur sesa e vështirë është të arrish në një zgjidhje të tillë”, theksoi Merkel.
”Është më mirë t’i mëshojmë përpjekjeve për të mbajtur gjallë dialogun mes dy vendeve”, përfundon kancelarja gjermane.
Megjithatë, fjalët e kancelares tregojnë edhe një herë mungesën e një politike të përbashkët të huaj të Bashkimit Evropian, çka shton vështirësitë edhe për shefen e re të politikës së jashtme të unionit, Federica Mogherini, e cila gjatë mandatit të saj do t’i duhet të përballet me ndarjet që ekzistojnë mes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
(a.n/BalkanWeb)