Emigracioni i paligjshëm i qytetarëve shqiptarë drejt Holandës, por edhe përdorja e këtij shteti si pikë tranziti për të udhëtuar më tej drejt Britanisë së Madhe solli në Tiranë Ministrin për Migracionin në Holandë, Mark Harbers.


Edhe pse foli për bashkëpunim të mirë në të gjitha nivelet me shtetin shqiptar, ai kërkoi masa më të forta nga Tirana zyrtare si me kontrollet në kufi ashtu edhe për ndërgjegjësimin e qytetarëve.


Ministri holandez tha se emigracioni i paligjshëm jo vetëm është një shqetësim i madh për shtetin e tij por nga ana tjetër është një rrezik i madh për qytetarët që ndërmarrin këtë veprim.


Dhe këtu ai solli në vëmendjen rastin e gjetjes së 18 emigrantëve në një kontejner shtatorin e kaluar, në kufijtë e  vdekjes.


Mesazhi i tij për shqiptarët ishte i qartë: “Harrojeni Holandën dhe Britaninë përmes Holandës, pasi gjithçka mund të merrni është një biletë kthimi drejt Shqipërisë së bashku me sanksionet për lëvizjen e lirë”.


Ai ka thënë se bashkëpunimi me autoritetet shqiptare për këtë problem deri më tani ka qenë i frytshëm, ndërsa paralajmëroi se nuk ka shans që qytetarët shqiptarë të marrin azil drejt Holandës.


Shqiptarët përbëjnë gjysmën e emigrantëve që tentojnë të kalojnë në Britani. Numri i shqiptarëve që kanë aplikuar për azil këtë vit është rritur. Emigrantët e paligjshëm ka rrezik të shfrytëzohen gjatë udhëtimit të tyre-tha ai.


Ai shtoi se Shqipërinë e konsiderojnë një vend të sigurt, por se qëndrimi zyrtar  i Holandës është që të ruajnë sistemin pa viza me Shqipërinë.


Deklaratat Harbers i bëri në konferencën e përbashkët për shtyp me zv.ministren e Brendshme Rovena Voda.