Policia e Tiranës u alarmua pas një mesazhi për vendosjen e një bombe në redaksinë e gazetës "Shqiptarja.com" të botuesit Carlo Bollino. Pas kontrollit rezultoi se alarmi ishte fals.

Alarmi u dha nga një mesazh të mbërritur në redaksi, me këtë përmbajtje: "Unë Shkëlqim Tarja ju kam vënë eksploziv në redaksi, orarin e shpërthimit e keni në facebook".

Shkëlqim Tarja, 51 vjeç është banor i rrugës "Faik Konica" në Tiranë. Nuk dihet arsyeja përse ai e dërgoi këtë mesazh.

Mesazhi i tij në adresën e redaksisë së televizionit "REPORT TV" krijoi panik dhe ngriti policinë në këmbë.

Në adresën e dhënë u dërguan dje forca të shumta të policisë dhe u morën të gjitha masat përfshirë evakuimin e punonjësve.

Nga verifikimet rezultoi se nuk u gjet asgjë e dyshimtë dhe njoftimi rezultoi i rremë, nuk u gjet lëndë eksplozive.

Pas hetimeve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 1 bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e shtetasit Shkëlqim Tarja, si autor i këtij kërcënimi.