Argjentinasi arrin shifrën e 71 golave në Ligën e Kampioneve. Vijojnë gafat e ekipeve angleze
Katër skuadra të tjera i janë shtuar mbrëmë Real Madridit dhe Borusia Dortmund në raundin tjetër të Ligës së Kampioneve. Bajern Mynih, PSG, Barcelona dhe Porto kanë kaluar mes 16 më të mirave të turneut, në një natë ku Lionel Mesi ka barazuar rekordin e legjendës Raul, duke e arritur në kuotën e 71 golave, ndërsa Luiz Adriano ka vazhduar furinë e golave për Shakhtar Donjetsk, duke arritur të shënojë 8 të tillë në dy ndeshjet e fundit.
Grupi E
Pas shkatërrimit 7-1 nga Bajern Mynih në Itali, trajneri i Romës, Rudi Garcia, vendosi të aktivizonte një skuadër me tipare mbrojtëse në ndeshjen e kthimit. Gjithsesi, as në këtë mënyrë nuk arriti të përballonte furinë e bavarezëve që shënuan nga një gol në secilën pjesë të ndeshjes, ndërsa shpërdoruan raste të shumta të tjera për të dërguar topin në rrjetën e portës së mbrojtur nga Skorupski. Sfida tjetër e këtij grupi ishte padyshim një nga surprizat më të mëdha të këtij edicioni, falë fitores 2-1 të CSKA Moskës në fushën e Mançester Sitit, që e mbylli ndeshjen me 9 lojtarë. Ky rezultat ka hapur plotësisht grupin, duke kthyer çuditërisht ekipin rus në pretendent për vendin e dytë, pasi vendi i parë i përket matematikisht Bajern Mynih.
Grupi F
PSG nuk është dashur të lodhet shumë për të marrë një fitore përballë APOEL në Francë, pasi ka gjetur golin që në minutën e parë të sfidës me Kavanin dhe më pas ka shpërdoruar një seri rastesh, pa rrezikuar shumë në prapavijë. Francezët janë kualifikuar në fazën tjetër të turneut, ashtu si Barcelona, e cila ka përjetuar një natë rekordesh në Amsterdam përballë Ajaksit në fitoren 2-0. Protagonisti kryesor ishte Lionel Mesi, i cili barazoi rekordin e Raul, ndërsa u bë njëkohësisht lojtari që ka shënuar në më shumë stadiume të ndryshme, 23 të tillë, në këtë turne.
Grupi G
Mesjava negative e ekipeve angleze në Ligën e Kampioneve ka vijuar me një barazim të papritur të Çelsit në fushën e Mariborit, i cili kryesonte për pjesën më të madhe të ndeshjes dhe shpërdoroi disa mundësi të mira për të dërguar përsëri topin në portën e Çeh. Por ekipi i Murinjos mund të kishte marrë tri pikët, nëse Hazard nuk do të kishte shpërdoruar një penallti në minutat e fundit të sfidës, për t’i dhuruar ekipit slloven një rezultat historik, padyshim të merituar. Për anglezët, lajmet pozitive kanë ardhur nga Portugalia, ku Sporting Lisbona ka mundur me rezultatin 4-2 Shalken, duke bërë që londinezët të mbajnë një distancë sigurie ndaj ndjekësve në luftën për kualifikimin e mëtejshëm.
Grupi H
Luiz Adriano vazhdon të mahnitë në këtë edicion të Ligës së Kampioneve, duke ndihmuar Shakhtar Donjetsk të ecë drejt kualifikimit të mëtejshëm. Braziliani ka shënuar dje 3 gola të tjerë në suksesin 5-0 ndaj BATE Borisov, duke çuar në 9 numrin e golave të shënuar në vetëm 4 ndeshje në fazën në grupe. Kësisoj, ai ka barazuar rekordin e vendosur një vit më parë nga Kristiano Ronaldo, ndërsa ka edhe dy ndeshje të tjera për ta thyer atë. Ndërkohë, Porto ka prerë biletën për në fazën tjetër të turneut me fitoren 2-0 në fushën e Atletik Bilbaos, padyshim një prej skuadrave që kanë zhgënjyer më shumë në këtë edicion.
Liga e Kampioneve
Grupi E
M. Siti-CSKA Moskë 1-2
8′ Ture / 2′, 34′ Dumbia
B. Mynih-Roma 2-0
38′ Riberi, 64′ Gëtce
Renditja: B. Mynih 12 pikë, CSKA Moskë 4, Roma 4, M. Siti 2.
Grupi F
PSG-APOEL 1-0
1′ Kavani
Ajaks-Barcelona 0-2
36′, 76′ Mesi
Renditja: PSG 10 pikë, Barcelona 9, Ajaks 2, APOEL 1.
Grupi G
Sporting L.-Shalke 4-2
26′ Sarr, 52′ Xheferson, 72′ Nani, 90′+1′ Slimani / 17′ (ag) Slimani, 88′ Aogo
Maribor-Çelsi 1-1
50′ Ibraimi / 73′ Matiç
Renditja: Çelsi 8 pikë, Shalke 5, Sporting L. 4, Maribor 3.
Grupi H
Shakhtar D.-BATE 5-0
19′ Srna, 48′ Teikseira, 58 (p), 83′, 90′+3′ Luiz Adriano
A. Bilbao-Porto 0-2
56′ Martinez, 73′ Brahimi
Renditja: Porto 10 pikë, Shakhtar D. 8, BATE 3, A. Bilbao 1.
Ky shkrim Mesi barazon legjendën Raul u publikua me pare te Gazeta SHQIP.