Barcelona ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt titullit në La Liga pas fitores 2-0 të marrë në derbin e luajtur në shtëpi kundër Espanyol-it.


Siç tregohet edhe nga rezultati, skuadra e Valverde-s nuk e ka patur të lehtë të marrë tri pikët sot. Gjithsesi, fati i ka buzëqeshur vendasve, të cilët kanë zhbllokuar ndeshjen në minutën e 71-të pas një autogoli të Sanchez.


Një autogol që ka ardhur pas një goditje dënimi të zgjuar të Leo Messi-t, i cili i ka siguruar fitoren ekipit të tij në minutën e 89-të me një finalizim perfekt me të majtën.


Kjo ka qenë fitorja e 334-t në La Liga e Leo Messi-t, që ka barazuar legjendat Iker Casillas dhe Andoni Zubizarreta.


Barcelona kryeson La Liga-n me 69 pikë, 13 më shumë se Atletico Madrid i vendit të dytë, që do të luajë mbrëmjen e sotme në fushën e Alaves.