Botërori 2018 fiton Lionel Messin por humbet Alexis Sanchez dhe Arturo Vidal. Kapiteni, numri 10 dhe frymëzimi i Argjentinës vendosi diktatin në një nga ndeshjet më të rëndësishme të karrierës së tij duke marrë për dore skuadrën Albiceleste në një 90 minutësh që mund të kishte rezultuar dramatik në rreth 3 mijë metra mbi nivelin e detit në Quito të Ekuadorit. 3-1 e mbylli ndeshjen e jetës Argjentina me tregolëshin e 5 herë fituesit të Topit të Artë që në momentin më të vështirë pas pësimit të golit të parë që në fillim të takimit, nuk u dorëzua por gjeti forcat dhe frymëzoi kombëtaren e tij me një gol të shpejtë që e riktheu Argjentinën në lojë.


Kombinim 1-2 me të përhershmin Di Maria dhe topi u ndal në rrjetë. Një gol që i dha kurajo dhe e bëri më të pakapshëm atë që nga shumë njerëz konsiderohet si futbollisti më i madh i të gjitha kohërave. Në stadiumin Atahualpa ai bëri të heshtnin të gjithë të pranishmit ku shtoi një tjetër perlë gjatë pjesës së parë për të kaluar në avantazh ekipin bardhekaltër që për të parën herë arriti të merrte frymë lirisht edhe pse në një ambient mbytës. Vendasit u shthurën taktikisht pas këtij goli duke kërkuar me çdo kusht ta prishnin festën argjentinase por tentativat e tyre rezultuan të pasuksesshme, ndërsa Messi u rishfaq vendimtar edhe në pjesën e dytë me golin që largoi çdo hije frike. 3-1, një fitore që mundonte në Ekuador që prej 16 vjetësh dhe 61 gola të Messit me fanellën e Argjentinës duke u ngjitur edhe në vendin e tretë të klasifikimit të Amerikës së Jugut pas Romarios dhe Ronaldos.


Statistika dhe një paraqitje që ndoshta i kanë vënë përfundimisht kapak dyshimeve të tifozëve argjentinas për impenjimin e numrit 10 me Kombëtaren. Por në mbrëmjen e fundit eliminatore të zonës Comnebol nuk ka vetëm lotë gëzimi por edhe lot hidhërimi. Kili u thye 3-0 në Brazil ku dy herë Gabriel Jesus dhe një herë Paulinho nuk bënë skonto për kampionët e Kupës së Amerikës, duke i lënë ata jashtë Kupës së Botës. Në stadiumin Allianz Parque të San Paolos nuk pati histori sepse Brazili edhe pse me vendin e parë të siguruar, tregoi se në fushën e blertë nuk do të bëjë llogaritë me asnjë kundërshtar, duke i shkaktuar Kilit një humbje të hidhur që do ta mbajë jashtë Botërorit 2016. Buzëqeshje edhe për Uruguajin që kaloi 4-2 Bolivinë për të betonuar pozitat në vendin e dytë me një biletë në dorë, ndërsa Kolumbia barazoi 1-1 në Peru dhe u kualifikua falë disfatës së papritur të Paraguait në shtëpi 1-0 nga Venezuela. Vendi i pestë që siguron përballjen e dyfishtë të play off me Zelandën e Re, shkon për surprizën e këtyre eliminatoreve, Perunë.


11 tetor 2017 (gazeta-Shqip.com)