Legjenda e Brazilit, Pele ka hedhur dyshime nëse ylli i Barcelonës, Lionel Messi mund të konsiderohet “i madh” në futboll. Sulmuesi argjentinas nga opinioni i gjerë konsiderohet si futbollisti më i mirë në botë dhe njëri prej më të mirëve në histori të lojës.

Por, Pele, i cili ka një status të tillë, dyshon te aftësitë e Messit në shkallën ndërkombëtare. “Mendoj se një futbollist i madh definohet nga paraqitjet e tij në Kampionat botëror”, tha Pele për tabloidin britanik The Sun.

“Për shembull, shikojeni Messin duke luajtur për Barcelonën. Ai është shumë i mirë. I shkëlqyeshëm. Por, për Argjentinën ai është krejt tjetër. Krahasojeni me Zinedine Zidane. Ai fitoi Kampionatin botëror dhe ishte në kulm për 15 vjet. Ai ishte futbollist më i kompletuar se Messi. Para Zidanes ishin Johan Cruyff, Franz Beckenbauer, Michel Platini dhe Bobby Moore. Futbollistë të mëdhenj që fituan Kampionate botëror ose në rastin e Cruyffit dhe Platinis, shkëlqyen në ta”, shtoi ai.

Duke kthyer vëmendjen te armiku i tij afatgjatë, Diego Maradona, Pele e vlerëson holandezin Cruyff mbi argjentinasin.

“Maradona kishte vetëm një këmbë dhe nuk ishte i mirë në ajër. Ai ishte futbollist i mirë por çka ndodhi në Kampionatin botëror 1994 e shkatërroi imazhin e tij, kur ai u kthye në shtëpi për përdorim të drogës. Cruyff ishte shumë më interesant. Ai ishte ndryshe nga Maradona, më i kompletuar”, përfundoi Pele i cili gjatë karrierës së tij si futbollist realizoi 1281 gola në 1363 ndeshje dhe fitoi tri kampionate botërore me Brazilin.