Mësuesit e Liceut Artistik në kryeqytet, ditën e djeshme, janë mbledhur në njërën nga sallat e shkollës dhe kanë deklaruar ndërprerjen e mësimit në shenjë proteste. Kjo, për shkak se ata nuk kanë marrë ende rrogën e dy muajve të fundit.



E ndërsa afrimi i festave të fundvitit ka nisur me premtimet për shpërblime, grupi i arsimtarëve të Liceut Artistik në Tiranë nuk ka mundur të shijojë mundin e punës së përditshme, marrjen e rrogës. "Deri kur do të vazhdojë kjo mungesë respekti për punën e arsimtarëve?", është shprehur e indinjuar njëra prej mësueseve të stafit mësimdhënës të Liceut Artistik në kryeqytet, e cila është mbështetur me deklarata plot indinjatë edhe nga pjesa tjetër e arsimtarëve. Dje, në mënyrë unanime, të gjithë mësuesit e atyre që do të bëhen artistët e ardhshëm, kanë shpallur bojkotimin e mësimit. Sipas tyre, protesta do të vazhdojë deri në momentin që këtij shqetësimi do t‘i gjendet një zgjidhje nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe ajo e Financave. Pra, deri në shpërndarjen e plotë të rrogave të pamarra. Ky vendim është konsideruar si më i drejti në një situatë të tillë, nga ana e arsimtarëve të kësaj shkolle, të cilët nuk kanë mundur të marrin as rrogat e muajit nëntor. Mësuesit liceistë nuk kanë një përgjigje zyrtare se përse është shkaktuar ky problem, por deklarojnë se nuk do të hyjnë në mësim pa marrë rrogat e vonuara.



Shumë prej mësuesve të liceut bëjnë përgjegjës ish-drejtorin e shkollës për vonesën e pagave. Ata shprehen se drejtuesi i mëparshëm ka shpërdoruar fondin e shkollës, madje edhe atë të pagave, pasi duke qenë se liceu është një institucion arsimor kombëtar, si i tillë ka të drejtë të vetëmenaxhojë financën.



Pranë liceut artistik në kryeqytet janë të emëruar rreth 200 arsimtarë. Të gjithë me një vendim unanim kanë vendosur të bojkotojnë mësimin në formë proteste, derisa Ministria e Financave dhe ajo e Arsimit të japin një zgjidhje për problemin e pagave të pamarra.



Dhe duket se përgjigjja nuk ka vonuar, duke parë edhe reagimin e ashpër e të vendosur të mësuesve të shkollës. Përfaqësues zyrtarë të Ministrisë së Arsimit kanë bërë të ditur dje se Ministria e Financave ka miratuar kërkesën e dërguar prej tyre për fonde shtesë, të cilat do të mund të garantojnë pagesën e rrogave për të gjithë mësuesit e Liceut Artistik, një ndër institucionet më të veçanta arsimore në vend. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, garantohet fakti se tashmë ky është një problem i zgjidhur dhe të gjithë mësuesit do t‘i kthehen punës së përditshme dhe normalitetit. Madje, shtojnë ata, ky problem është krijuar edhe për shkak të mungesës së informacionit nga të gjitha palët e interesuara. Pohohet, gjithashtu, se fondet shtesë të sapomiratuara do të fillojnë të lëvrohen shumë shpejt.