16/12/2008  Liceu Artistik


Prej ditësh dëgjojmë bojkote të mësimit për shkak të infrastrukturës së keqe në shkolla, ndërsa kësaj radhe janë mësuesit e Liceut Artistik në kryeqytet që kanë vendosur të bojkotojnë mësimin në këtë shkollë. Shkak për marrjen e këtij vendimi është kthyer vonesa në shpërndarjen e rrogave. Sipas mësuesve protestues, bëhet e ditur se prej ditësh kjo shtresë nuk kanë marrë ende rrogën e muajit dhjetor, teksa janë kaluar të gjitha afatet kohore të përcaktuara. Janë me dhjetëra mësues ,të cilët duhej të kishin marrë pagat e muajit nëntor që para 15 ditësh, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ajo çfarë cilësohet edhe më problematike prej këtyre të fundit është mosdhënia e një shpjegimi për këtë gjendje nga organet përgjegjëse. Ndaj rruga që është gjetur për zgjidhjen e kësaj çështjeje është zhvillimi i protestës dhe ndërprerja e mësimit. Protestuesit kanë pohuar se nëse Ministria e Arsimit nuk do të marrë masat për rregullimin e kësaj situate, në këtë shkollë nuk do të zhvillohet mësim. Kjo deri në momentin që mësuesit do të marrin pagat e tyre.