Tiranë (start)-Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi këtë të premte, se buxheti i shtetit 2009 vihet plotësisht në funksion të zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm. Meta tha se buxheti kishte rritje të të ardhurave si përqindje ndaj Produktit të Brendshëm Bruto, por sipas tij ka rritje të shpenzimeve duke çuar deficitin buxhetor në 5.3 për qind.



“Nuk mund ta shpjegojmë që në një kohë kur FMN parashikon botën të jetë në një krizë ne 2009, Qeveria Berisha nuk parashikon asnjë qindarkë për t’i ndihmuar shqiptarët në rast se kriza botërore financiare kthehet në një krizë bankare në Shqipëri”-theksoi Meta për mediat.



Meta tha se Berisha vazhdon të përdorë fondet publike për interesat e tij personale apo politike. “Projekt- Buxheti i 2009 nuk jep asnjë lajm të mirë për bujqësinë, sektorin me të cilin jeton shumica e popullsisë shqiptare, por as edhe për shëndetësinë dhe arsimin- tha Meta më tej.