Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti në një takim kryeministrin e Sllovakisë, Robert Fico, me të cilin biseduan për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Në këtë takim Fico shoqërohej nga Zv. Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm dhe i Çështjeve Evropiane, Miroslav Lajcak.


Kryetari i Kuvendit i shprehu Kryeministrit sllovak mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Sllovakia ka dhënë për integrimin euro-atlantik të Shqipërisë, duke theksuar se Shqipëria mbështetet në përkrahjen e Sllovakisë edhe në të ardhmen.


Shqipëria është një vend evropian dhe mazhoranca e re është e vendosur të avancojë me reformat e rëndësishme që kërkojnë qytetarët tanë për forcimin e ligjit dhe zhvillimin e ekonomisë u shpreh Meta.


Nga e tij kryeministri, Robert Fico, shprehu kënaqësinë për vizitën e parë të një Kryeministri Sllovak në Tiranë dhe nënvizoi se Sllovakia, si një vend i ri anëtar dhe si histori suksesi e Bashkimit Evropian, është e gatshme të ofrojë eksperiencën e saj në kuadër të integrimit evropian dhe të thithjes së investimeve të huaja në Shqipëri.


Kryetari i Kuvendit Meta shprehu vullnetin për të zgjeruar më tej marrëdhëniet me Parlamentin e Sllovakisë, në interes të forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.