Lideri i LSI-së, z.Ilir Meta, mori pjesë në konferencën e Lëvizjes Rinore për Integrim në njësinë minibashkiake nr.1 në Tiranë. Kryetari i LSI-së, z.Meta, duke iu drejtuar të rinjve të pranishëm në këtë aktivitet, theksoi: "Lëvizja Rinore për Integrim është i vetmi forum politik në Shqipëri që ka mbrojtur me të drejtë interesat e rinisë shqiptare”. Duke iu drejtuar të pranishmëve, Meta u bëri thirrje atyre për t'u bashkuar të gjithë me LRI-në, sepse sot të rinjtë kanë një mision të përbashkët, atë të integrimit të vendit në BE. “Unë besoj se është momenti që të gjithë të rinjtë të bashkohen me njëri-tjetrin, - theksoi Meta, - të bashkohen me Lëvizjen Rinore për Integrim dhe me Lëvizjen Socialiste për Integrim në mënyrë që të shprehin vetveten, në mënyrë që të shprehin pasionet dhe ëndrrat e tyre dhe sidomos për t’i realizuar ato. Duke u bashkuar këtu, duke punuar në mënyrë më të organizuar, unë jam i bindur se vitin e ardhshëm LSI-ja pa dyshim do të jetë forcë kryesore jo vetëm në rezultatin elektoral, por edhe në qeverisjen e vendit’, - citoi ai. “Sepse ky vend ka nevojë që të ndahet nga keqqeverisja e deritanishme”, - tha Meta. Duke u ndalur në projektet e LSI-së për rininë, Meta nënvizoi se me Berishën as pas 2090-ës nuk mund të jetë prioritet rinia, sepse Berisha ka vetëm një prioritet, si të pushtojë të gjitha institucionet, si të uzurpojë të gjithë jetën politike dhe ekonomike në vend, si të pasurojë veten e tij dhe klanin e tij dhe për këtë nuk ndalet as përpara tragjedive që shkaktohen nga paaftësia e tij dhe qeveria e tij, si ajo e Gërdecit. Meta tha se një qeverisje e tillë dhe një politikë e tillë nuk mundet kurrsesi të ketë prioritet rininë, nuk mundet të ketë prioritet të ardhmen. “Ndaj jam i bindur që të gjithë së bashku do t’i japim përgjigjen e merituar qeverisë së Gërdecit, qeverisë së hipokrizisë dhe të fukarallëkut përditë e në rritje për shumicën e shqiptarëve. Kjo nuk është qeveria jonë, kjo nuk është qeveria juaj, kjo nuk është qeveria e shqiptarëve të cilët duan jetë të sigurt në vendin e tyre, të cilët duan të kenë një punë të sigurt për të rritur dhe edukuar më mirë fëmijët e tyre”, - tha ai.