Aristir Lumezi

Takimi i djeshëm kokë më kokë mes dy kryeministrave të fundit socialistë, Nano-Meta, ka ngacmuar opinionin politik në vend.Mësohet se kanë qenë me qindra telefonata, që si Nano, ashtu dhe Meta, kanë marrë gjatë ditës së djeshme nga politikanë të të gjithë spektrit politik, kryesisht të majtë. Edhe pse interesimi ka qenë shumë i madh, dy socialistët e ’91, nuk kanë dashur të japin detaje mbi bisedat e shumta të bëra dje në qendër të Tiranës, fare afër selisë rozë. Mbeten mister detajet e bisedës së tyre, por si politikanë që e kanë nisur politikën në kohë të njëjtë, por në pozicione të ndryshme, Nano dhe Meta kanë kaluar në bashkëbisedimin e tyre tema që kanë të bëjnë me politikën e ditës, e që nisin që nga krijimi i qeverisë së re e deri te situata e vështirë, në të cilën ndodhet PS pas humbjes elektorale të 28 qershorit. Ish-kryetari socialist Fatos Nano mësohet se është nisur dje drejt Greqisë, ku do të qëndrojë disa ditë, ndërsa kreu i LSI-së ka vazhduar takimet e tij me stafin dhe strukturat e kësaj partie. Vetëm pak ditë më parë, Konventa e jashtëzakonshme e LSI-së mandatoi Ilir Metën të nisë negociatat me kryeministrin Berisha për krijimin e qeverisë së re, ku LSI pritet të ketë rol të rëndësishëm në kabinetin e ri brenda koalicionit të qeverisë së Integrimit të vendit. Nano dhe Meta janë të vetmit politikanë të majtë që janë takuar me Sali Berishën dhe kanë shprehur në mënyrë publike dhe të hapur bashkëpunimin mes tyre për çështje të rëndësishme. Nano shprehu vullnet bashkëpunimi për zgjedhjen e Presidentit në vitin 2002, duke ia lënë të drejtën e propozimit PD-së, ndërsa Meta, i tha ‘Po’ ftesës së Berishës për bashkëqeverisje, pas rezultatit të 28 qershorit, për të mos çuar vendin në zgjedhje të parakohshme dhe kriza politike. Takimi Nano-Meta ishte i dyti që prej vitit 2004, kur LSI u shkëput nga PS dhe u krijua si parti më vete. Pak ditë para zgjedhjeve, Meta ftoi në një tryezë të gjithë kryetarët e partive të majta, së cilës Rama, Milo dhe Gjinushi iu përgjigjën negativisht, ndërsa vetëm Meta, Nano dhe Petro Koçi ndanë shqetësimin e hyrjes në zgjedhje të së majtës, të pa koordinuar për të ruajtur votën e këtij elektorati.