Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti në një takim konsultativ përfaqësuesit e Forumit të Përbashkët të Prodhuesve Shqiptarë, i cili është krijuar rishtaz si një platformë lobimi për promovimin e produkteve shqiptare, përfaqësuar nga Dhomat e Tregtisë së Shqipërisë, të Kosovës dhe Maqedonisë.


Presidenti i Republikës përgëzoi dhe mbështeti iniciativën e krijimit të këtij Forumi si një domosdoshmëri e stadit aktual të zhvillimit ekonomik, sidomos në kuadër të axhendës tonë të përbashkët të anëtarësimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE.


Gjithashtu, Presidenti theksoi se përmirësimi i klimës së biznesit, heqja e barrierave tarifore dhe jo tarifore mes vendeve tona, thithja e investimeve të huaja direkte, parashikueshmëria fiskale, garancia juridike dhe kontraktuale, duhet të jenë disa nga prioritetet kryesorë në axhendën tonë ekonomike.


Presidenti i Republikës apeloi për më shumë mekanizma financiar, fiskal dhe promovues për prodhimin vendas dhe për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve dhe brandeve shqiptare, përfshirë çertifikimin e tyre me destinacion eksportin në tregjet e qëndrueshme ndërkombëtare.


Vetëm në këtë mënyrë, mund të fuqizojmë Hapësirën Ekonomike Mbarëkombëtare e cila do ti paraprinte dhe ndihmonte krijimit të Zonës Ekonomike Rajonale që duhet të funksionojë si një paradhomë e anëtarësimit në BE dhe integrimit të plotë ekonomik në Tregun e Përbashkët Europian.


12 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)