Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, e ka cilësuar si të papjekur deklaratën e Presidentit Meta se në vend po instalohet një juntë ushtarake.


Koçi tha se edhe vetë Kreu i Shtetit do të jetë penduar për atë deklaratë. Sipas tij, “rreziku” i vetëm ndaj politikanëve me emra të veçantë është reforma në drejtësi.


Mendoj se zoti Meta do të jetë penduar për atë deklaratë. Ishte një deklaratë e papjekur, që nuk ka lidhje me realitetin fare. Ndërkohë Meta sipas ligjit është komandanti i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, nuk mund të flasë kurrë për një juntë ushtarake. Besoj se “rreziku” ndaj politikanëve me emra të veçantë është reforma në drejtësi. Nëse ka dashur ti referohet reformës në drejtësi dhe institucuioneve që ajo po ngre siç është SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit si juntë ushtarake kjo është një metaforë e cila nuk mund të përdoret sepse duke qenë se jemi edhe duke zhvilluar ceremonitë dhe manifestimet për 10 vjetorin e anëtarësimit në NATO është një referencë shumë e gabuar dhe e pa pjekur, – tha zv.ministri për Ora News.


Petro Koçi komentoi edhe hetimin e PD-së lidhur me lobin në SHBA dhe finanicimin rus. Në Shqipëri kuptohet që hapësira e Rusisë për të vepruar është e kufizuar, edhe në Kosovë, por duhet të dimë që ata financojnë fuqishëm në planin ekonomik për të blerë prona, por edhe besoj për të blerë zëra mediatikë por edhe financime në politikë. Fakti që kemi tashmë një parti politike nën akuzë, siç është rasti i PD-së, është shumë shqetësuese. Sidoqoftë i mbetet drejtësisë për të certifikuar se deri ku shkon kjo. Këtu duhet falënderuar drejtësia amerikane dhe transparenca amerikane që ka sjellë prova lidhur me këtë gjë por që i mbeten drejtësisë për ti administruar dhe për ta çuar të vërtetën deri në fund, – tha Koçi.